Erdogan nuk i trembet Amerikës

schedule22:37 - 26 Janar, 2018

schedule 22:37 - 26 Janar, 2018

Presidenti turk Erdogan ka lënë të kuptohet se nuk i trembet një reagimi të Shteteve të Bashkuara sa i takon ndërhyrjes së ushtrisë së tij kundër milicive kurde në Siri, për të cilën ka deklaruar se do të shkojë deri në fund.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se Turqia është e përgatitur që ta çojë ofensivën e saj kundër forcave kurde në veri të Sirisë deri në lindje, në Irak. Në një fjalim të mbajtur në Ankara, Erdogan ritheksoi se trupat e tij do të vazhdojnë epërsinë kundër militantëve të vendosur në Manbij, duke rrezikuar kështu përballjen me Shtetet e Bashkuara. Aktualisht në këtë qytet ndodhen trupat amerikane, të cilat mbështesin milicitë kurde që në vitin 2016 dëbuan nga territori luftëtarët e ISIS.

Trupat turke nisën operacionet e tyre fundjavën e kaluar dhe të mbështetura nga rebelë sirianë avancuan në enklavën e Afrinit, me synim dëbimin e Njësisë kurde për Mbrojtjen e Popullit. Ankaraja zyrtare e konsideron këtë njësi pjesë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, që për tre dekada ka luftuar për autonomi në jug-lindje të Turqisë.

Fushata ushtarake ka cënuar marrëdhëniet me Uashingtonin, por “sulltani” Erdogan duket se nuk i trembet kësaj. Duke folur përpara anëtarëve të partisë së tij, ai u shpreh se Turqia është e përgatitur të zgjerojë operacionin “Dega e Ullirit”, “derisa të mos ketë mbetur as edhe një terrorist në kufirin turk që çon në Irak”. “Pas pastrimit të Afrinit, siç kemi premtuar, do të pastrojmë edhe Manbijin nga terroristët”, tha Erdogan.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!