Erdogan: Kosova të bëjë kujdes me ambasadën turke

schedule15:35 - 1 Prill, 2018

schedule 15:35 - 1 Prill, 2018

Kosova është kërcënuar përsëri nga Turqia lidhur me reagimet për ekstradimin në mënyrë të fshehtë të 6 shtetasve turq. Ministria e Jashtme i ka kërkuar qeverisë Haradinaj që të bëjë kujdes me ambasadën turke në Prishtinë.

Ofensiva verbale që nisi presidenti Rexhep Tajip Erdogan ndaj Kosovës ka vazhduar nga diplomacia turke, e cila ka kërkuar nga autoritetet në Prishtinë që të kenë kujdes me ambasadën e Turqisë. Ministria e Jashtme e Ankarasë në një reagim i quan të pabaza dhe manipulime mediatike pohimet se 6 shtetasit turq, të arrestuar për akuzën se janë drejtues të shoqatave të imamit Fetullah Gylen në Ballkan, janë mbajtur në selinë diplomatike. Këto zhvillime erdhën pas vendimit të kryeministrit Ramush Haradinaj për të shkarkuar ministrin e brendshëm dhe shefin e inteligjencës. Erdogan e kërcënoi shefin e qeverisë duke thënë se shumë shpejt, ai nuk do të ketë legjimitetin e popullit.

Ministria e Jashtme e Turqisë ka komentuar protestat para selisë së saj diplomatike në Prishtinë. Zëdhënësi Hami Aksyou në një deklaratë të publikuar në ueb-faqen zyrtare të qeverisë turke shkruan se “fytyra e organizatës së Gylenit është ekspozuar me veprimet kundër Turqisë”. Në këtë komunikatë mes tjerash thuhet se Kosova ka përgjegjësi për sigurinë e shtetasve turq, misioneve dhe zyrtarëve tjerë. Aksyou paralajmëroi autoritetet e Kosovës që të kenë kujdes për veprimet që ndërmarrin në mbrojtje të “gylenistëve”.

Ndërkohë, i vetmi zyrtar i shtetit të Kosovës që i është përgjigjur Presidentit turk është kryeparlamentari Kadri Veseli. Me anë të një postimi në Facebook ai shkruan: “Këto deklarata janë shqetësuese, sepse vijnë nga lideri i një vendi mik, mbështetja e të cilit është dëshmuar në vazhdimësi para dhe gjatë gjithë ekzistencës së shtetit tonë. Andaj, deklarime të tilla nuk kontribuojnë në forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit te ndërsjellë”. Ndërsa presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Haradinaj nuk i janë përgjigjur kreut të shtetit turk./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!