Erdogan fillon luftën kundër kurdëve

schedule13:30 - 21 Janar, 2018

schedule 13:30 - 21 Janar, 2018

Turqia vazhdon ofensivën kundër ushtrisë kurde në veri të Sirisë. Ankaraja thotë se ushtria e saj ka arritur të hyjë në rajonin Afrin. Por forcat kurde mohojnë një gjë të tillë.
Ushtria turke ka hyrë në rajonin Afrin, në veri të Sirisë. Kjo ka ndodhur gjatë ditës së dytë të ofensivës së gjerë kundër milicisë kurde të konsideruar si terroriste nga Ankaraja zyrtare.

Njoftimi ka ardhur nga kryeministri turk, Binali Jëlldërëm, i cili shton se ushtria turke gjendet në enklavën Afrin, që kontrollohet nga Uniteti i Mbrojtjes Popullore “YPG”. Rrugëtimi i tyre ka kaluar nga fshati kufitar Gëlbaba.

Përpara hyrjes së forcave turke në Afrin, një zyrtar i Ankarasë kishte njoftuar se mëngjesin e së dielës, qyteti kufitar Kilis është goditur nga 4 raketa, që ishin lëshuar nga kurdët në Siri. Sipas guvernatorit Mehmet Tekinarsllan janë goditur dy shtëpi dhe një zyrë.
Ndërkohë, forcat kurde dhe observatori sirian për të drejtat e njeriut mohojnë që ushtria turke ka hyrë në enklavën Afrin.

“Tentativat e Ankarasë për të depërtuar janë rrëzuar”, theksoi Mustafa Bali, zëdhënës i forcave demokratike siriane, ushtri me prejardhje kurde që mbështetet nga SHBA-ja.

Ofensiva turke, e pagëzuar si operacioni “Dega e Ullirit”, rrezikon të tensionojë edhe më shumë raportet mes Ankarasë dhe Uashingtonit. Shtetet e Bashkuara mbështesin një koalicion kurdo-arab, në të cilin bën pjesë edhe “YPG”. Qëllimi kryesor i tyre është lufta kundër ISIS.

Ndërkaq, Rusia ka shprehur shqetësim dhe bëri thirrje për “përmbajtje”, pas njoftimit nga ana e Turqisë për nisjen e ofensivës tokë-ajër në veri të Sirisë kundër një malice kurde, që konsiderohet nga Ankaraja si organizatë terroriste.

“Moska është e shqetësuar nga këto lajme”, thekson Ministria e Jashtme në një komunikatë.

Forcat kurde janë në shënjestër të qeverisë së Ankarasë pasi kanë aspiratë për një shtet të tyrin në kufi me Turqinë. Shpeshherë, militantët kurdë kanë kryer sulme kundër ushtrisë dhe policisë turke./abcnews.al