Armëpushim, korridor sigurie prej gjashtë kilometrash, në veri dhe në jug, përgjatë autostradës mes Latakias dhe Alepos, me patrullime të përbashkëta ruso – turke duke filluar që nga 15 marsi. Këto janë rezultatet e një takimi maratonë mes presidentit turk Erdoan dhe atij rus Vladimir Putin në Kremlin për të lehtësuar krizën aktuale në Idlib.
Një takim i cilësuar historik nga Erdoan por që rrezikon të rezultojë vetëm në një shtyrje date të përballjes mes Ankarasë dhe Moskës. Lideri i Kremlinit nga ana e tij lavdëroi marrëdhëniet e mira mes Rusisë dhe Turqisë duke theksuar se jo gjithmonë bien dakord për gjithcka. Por ai shtoi se kur momenti është kritik të dyja vendet janë gjithnëj në gjendje për të gjetur një marrëveshje dhe një zgjidhje.
Putin mori premtimin e rradhës për respektimin e sovranitetit dhe integritetit të Sirisë si dhe për luftën kundër grupeve terroriste në zonë. Presidenti rus theksoi rëndësinë për të mbrojtur popullsinë civile dhe vazhdimin e procesit të paqes në Siri.
Që marrëveshja është e brishtë kuptohet dhe nga toni i përdorur nga Erdoan gjatë deklaratave të tij. Ai tha se forcat e regjimit sirian kanë shkelur marrëveshjet dhe se banorët e Idlib janë larguar nga shtëpitë e tyre. Presidenti turk premtoi se vendi i tij do të përgjigjet ndaj cdo lloj sulmi sirian dhe se kjo ishte një e drejtë e padiskutueshme. Por analistët shprehen se interesat e Moskës dhe Ankarasë në Siri janë gjithnjë e më të kundërta./abcnews.al