Deputeti i opozitës Myslim Murrizi deklaroi këtë të hënë se Inspektoratit i Lartë i Deklarimit të Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të lnteresave duhet të jetë paradhomë e SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit për të hetuar pasuritë e deputetëve në parlamentin e Shqipërisë. Sipas deputetit, ILDKPKI duhet të hetojë edhe zv.ministrat dhe zyrtarët e institucioneve që kanë në dorë tenderat publike.
“Thoni që është arritje e madhe që janë gjobitur disa nga subjektet private pse kanë kërcënuar ose nuk kanë pasur numrin e bilbilfytësve aq sa duhet nga një deri në pesë milionë lekë. Unë besoj që shqiptarët janë të tejngopur me spiunë dhe bilbilfryrës. Nuk besoi se është detyrë në 29 vjet postkomunizëm të një inpektoriati që duhej të merrej me banorët e kësaj salle, me këta që janë këtu mbrapa, me këta që kanë qenë këtu mbrapa, 60 kryetarët e bashkive, me drejtorët e drejtorive, zv/ministrat dhe ata që kanë në dorë të firmosin tendera nga paratë publike.
Numri i pakët i punonjësve tuaj prej 70 vetash nuk besoj se zgjidh përfundimisht atë që kanë detyrim ligjor për të deklaruar pasurinë pranë institucionit tuaj. Shoh që ka shumë subjekte që janë objekt i ligjit tuaj. Unë do doja që ka ardhur koha për të përgatitur më konkret dhe më konciz për atë objekt pune që duhet të ketë ky institucion. Nëse ka 15 mijë e 600 subjekte që deklarojnë, me 70 punëtorë i bie që në 10 nuk i kontrollon dot ato. Unë institucionin tuaj do doja ta konsideroja si paradhomë e SPAK-ut ose kuzhinë të BKH-së.
Miliona euro pasuri marramendëse kanë banorë të kësaj salle që kanë ardhur në 31 Mars të 91-shit me pantallona doku, çorapë 55 lekëshe dhe brekë thesi dhe sot të grijnë në “Armani”, “Versaçe”, “Guçi”, kanë hale dhe për macen. Kanë pasur shtëpi me qerpiç, hale te fiku. Ky inspektoriat duhet të merret me këta subjekte që duhet të jenë objekt i drejtpërdrejtë i ligjit tuaj. Ata që kanë marrë në qafë këtë vend nuk i kalojnë 500 veta nga 91 deri sot. Shihni kush i ka ato saraje matanë. Deputetë, ministra, hiqni pjesën e biznesit, kam respekt për ta dhe ishalla i shtojnë, drejtorë drejtorish, burgjet, hipotekat, ALUIZNI, rrugë, dogana, tatime. Këta që kanë qenë non stop ndër vite, këta që janë këtu, ca që kanë lënë vendet dhe janë ulur këtu, janë strehuar atje. Ai justifikojnë ata? Me 70 punëtorë nuk besoj se ti ke mundësi që të bësh një lloj investigimi”, tha deputeti Murrizi, në seancën e sotme plenare, ku ishte parashikuar raportimi vjetor i ILDKPKI.
Po gjatë seancës së të hënës pritet që të diskutohen disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin për regjistrimin e biznesit, disa shtesa në ligjin për procedurat tatimore, disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për masat kundër financimit të terrorizmit si dhe në atë për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Gjithashtu ishte parashikuar raportimi vjetor edhe për Prokuroren e Përgjithshme Arta Marku, por vetëm pak orë para se të niste seanca ajo anuloi pjesëmarrjen e saj duke dërguar një raport shëndetësor. /abcnews.al