Zyrtarët e shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara po u bëjnë thirrje prindërve të vaksinojnë fëmijët për fruthin, pasi janë shtuar rastet e përhapjes së kësaj sëmundje. Më 5 shkurt, u njoftuan 50 raste të reja në shtetin Uashington, dhe pesë raste në Hjuston, të Teksasit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carol Pearson, shumica e rasteve janë fëmijë të pavaksinuar.
Fruthi u eliminua plotësisht në Shtetet e Bashkuara 19 vjet më parë. Rastet që shfaqen tashmë janë të importuara nga vende të tjera. Kjo po ndodh më shpesh.
“Fruthi është tmerrësisht ngjitës. Po hyri në komunitet është shumë i vështirë pasi transmetohet përmes ajrit”, thotë Dr. Camille Sabella, i Klinikës Cleveland.
Tetëmbëdhjetë shtete i lejojnë prindërit të mos i vaksinojnë fëmijët nëse kanë kundërshtime morale, personale ose filozofike. Një epidemi e fruthit në shtetin e Uashingtonit ka alarmuar zyrtarët e shëndetësisë që po përpiqen ta izolojnë përhapjen.
“Shpresoj të jem gabim, por mendoj se rastet do të shtohen dhe do të përhapen në mbarë vendin nga kjo epiqendër”, thotë Dr. Jason Hanley, i Qendrës Mjekësore “PeaceHealth Southwest”.
Zonat rurale në Shtetet e Bashkuara kanë më shumë fëmijë të pavaksinuar. Por, edhe në qytete si Hjuston, Ostin dhe Siatëll ka nivel domethënës immunizimi të pamjaftueshëm. Qyteti i Hjustonit njoftoi dy raste fruthi tek fëmijë nën 2 vjeç. Doktorët dhe Shërbimit Mjekësor i SHBA-së po u bëjnë thirrje prindërve të vaksinojnë fëmijët.
“Dua që të jenë të gjithë vetëdijshëm se mbrojtja më e mirë është vaksinimi”, deklaroi për publikun amerikan kreu i Shërbimit Mjekësor, Gjeneral Jerome Adams.
Vaksina ka efikasitet prej pothuajse 100%. Doktorët rekomandojnë që fëmijët të marrin dy doza.
“Me një dozë të vaksinës, rreth 95% e fëmijëve imunizohen kundër fruthit. Arsyeja pse japim një dozë të dytë është pasi tek 5% e fëmijëve nuk ka efekt doza e parë. Pra, me dy doza, mbi 99% e fëmijëve janë të mbrojtur nga fruthi”, thotë Dr. Sabella.
Fruthi është sëmundje e rëndë dhe është veçanërisht e rrezikshme tek fëmijët e vegjël.
“Një e treta e këtyre rasteve përfundojnë në spital për arsye të ndryshme”, thotë Dr. Roberta DeBiasi, e Qendrës Kombëtare Mjekësore të Fëmijëve.
Komplikacione si pneumonia, encefaliti dhe enjtja e trurit, mund të shkaktojnë vdekjen ose dëmtime të pariparueshme. Për këtë arsye, doktorët u bëjnë thirrje prindërve të vaksinojnë fëmijët./Zëri i Amerikës