Në vitin 1983, gjatë zhvillimit të gjyqit ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Kadri Hazbiu, një dëshmitar i akuzës, i quajtur Halit Kaçanolli, zbuloi pjesë nga një histori që për të gjithë shqiptarët ishte mbajtur sekret.
Sipas dëshmisë së tij, gjatë periudhës kohore 1948-1955 të prishjes së marrëdhënieve me Josip Titon, Enver Hoxha dhe kasta komuniste shqiptare kishin dërguar përtej kufijve shqiptaro-jugosllavë një numër të konsiderueshëm zbuluesish apo diversantësh, sipas fjalorit të kohës.
Dhe jo vetëm kaq. Dëshmitari akuzon ish-ministrin se të gjithë haraçin e tradhtisë së tyre e kishte paguar populli i thjeshtë në Kosovë.
Por si është e vërteta e kësaj historie sekrete spiunazhi mes Shqipërisë së Enver Hoxhës dhe Jugosllavisë së Titos?
Si ndodhi që në periudhën më të vështirë të ekzistencës, kur britanikët dhe amerikanët kishin nisur aksionet për rrëzimin e regjimit të tyre, komunistët shqiptarë të hapnin dhe mbanin gjallë edhe një tjetër front të rrezikshëm konfliktesh?
Mbështetur kryesisht në dokumentet e arkivave të ish-Jugosllavisë, për herë të parë emisioni Abc/Story i gazetarit Ferdinand Dervishi sjell bilancin e përgjakshëm në 5 vite të këtij konflikti gati të panjohur për shqiptarët.