117 vjet më parë lindi problemi. Në një shtëpi të Gjirokastrës, jo larg atij që njihet si ‘Sokaku i të Marrëve’, lindi Enver Hoxha, njeriu që pa mbushur 35 vjeç, do kthehej në njeriun me të fuqishëm të Shqipërisë, që prej epokës së Ahmet Zogut.
I ftuar në ‘Real Story’, Marengel Kasmi tha se janë përmbushur afatet për gjykim dhe se kushtet historike dhe shkencore, për ta trajtuar këtë temë janë pjekur.
“Nëse i referohemi në mënyrë strikte shkencës së historisë, sigurisht që afatet janë përmbushur, sepse ne themi në histori që nëse kanë kaluar 30 vjet afërsisht, nga mbarimi i një periudhe apo një ngjarje, apo fenomeni, në pikëpamjen shkencore kjo ngjarje trajtohet. Sigurisht brenda 20-30 vjeçarit është ende politikë, dhe gjërat me të drejtë sikundër edhe ju e thatë nuk mund të trajtohen në mënyrë objektive, por nëse i referohemi kësaj periudhe, Enver Hoxhës në veçanti dhe periudhës së komunizmit nga viti 1945 deri në 1990 në Shqipëri, sigurisht që kushtet historike dhe shkencore, për ta trajtuar këtë temë janë pjekur, është plotësisht e mundur që të realizohet. Sigurisht që nëse vijmë pastaj në trajtimin te njëri historian apo te tjetri, aty mund të kemi ndryshime ndoshta në mënyrën se si i qasen analizës si e trajtojnë, por në pikëpamje të mirëfilltë shkencore, kjo kohë është arritur dhe mesaduket përveçse kohës historike po piqen edhe kushtet ‘shoqërore’. Deri ndoshta para 10 vitesh ishte tabu edhe përmendja e emrit të Enver Hoxhës e jo më të organizoheshin edhe diskutime në media e kështu me radhë për këtë personazh historik të Shqipërisë, i cili ka dominuar një pjesë të mirë të historisë moderne të shtetit shqiptar.”

