Jurgen Klinsmann ndihet i lumtur me Krzysztof Piatek. Hertha e Berlinit pagoi 27 milion euro në arkat e Milanit dhe transferoi sulmuesin polak në Bundesligë. Trajneri i ekipit kryeqytetas analizon cilësitë e sulmuesit polak dhe nxitoi në momentin që kuptoi që kuqezinjtë e kishin nxjerrë në merkato.
“Piatek është një sulmues i kompletuar, ka shumë cilësi. Ai ka vetëm një objektiv në kokën e tij, të shënojë gol. Është profili i duhur i lojtarit që po kërkonim. Polaku ka grintë, vrapon dhe bën presing ndaj kundërshtarëve dhe ua vështirëson jetën mbrojtësve që ka përballë.
I mjaftuan 10 sekonda në debutim për t’i marrë topin kundërshtarit. Dua që të jetë frymëzim për lojtarët e rinj, ai që përcjell këtë lloj qëndrimi. E ndjek prej kohësh dhe isha në dijeni të situatës së tij. Në Itali ndryshojnë shpejt skenarët kur gjërat nuk ecin mirë. Për këtë motiv, kur e kuptuam që është në merkato, unë dhe drejtori sportiv e kontaktuam për ta pyetur nëse i interesonte ardhja te Hertha.
Për fat të mirë, pranoi. Kërkonim një lojtar që bën diferencën dhe jemi të lumtur që ia dolëm. Ndihemi entuziastë që është pjesa e jona, mos të harrojmë që luan në kombëtaren polake përkrah një kampioni të madh si Lewandovski. Duhet të ketë si objektiv që të bëhet një nga sulmuesit më të mirë në Europë“, komenton Jurgen Klinsmann. /abcnews.al