Spanja festoi mbrëmë në “San Siro”, pasi mposhti Italinë dhe u kualifikua në finale të Nations League. Trajneri Luis Enrique foli për Rai Sport dhe sigurisht që është i kënaqur me atë që skuadra e tij bëri në fushën e blertë, veç pjesës së rezultatit.
“Ishte një ndeshje shumë e bukur, mes dy rivalëve që hodhën në fushë armët e tyre më të mira. Edhe një herë tjetër krijuam shumë raste të rrezikshme në portën kundërshtare dhe bëmë shumë presion. Jemi shumë të kënaqur.
Edhe pse me shumë pak stërvitje të kryer, ishte e vështirë, por djemtë u sollën shumë mirë në fushën e blertë”, tha Enrique, i cili nuk është se ka ndonjë preferencë mes Francës dhe Belgjikës për në finale.
“Janë të dyja skuadra shumë të forta. Do të mundohemi të vëmë në vështirësi këdo që do të na dalë përpara. Pra do të mundohemi të fitojmë trofeun”, shtoi trajneri i Spanjës, i cili foli edhe për Gavin, i cili mbrëm u bë lojtari më i ri që debuton me “La Roja”.
“Kemi folur për të dhe është një rast i rrallë. Luan sikur të ishte në oborrin e shtëpisë së tij. Është një kënaqësi të shohësh një lojtar me këto cilësi dhe këtë personalitet.
Është e tashmja dhe e ardhmja e kombëtares spanjolle. Verrati është idhulli i tij! I thashë që do t’i bënte presing atij nga fillimi në fund. E dashuron atë”, u shpreh Enrique. / abcnews.al

