Enigmë e ardhmja e Neymar

schedule21:51 - 20 Korrik, 2019

schedule 21:51 - 20 Korrik, 2019

Mbetet enigmë e ardhmja e yllit brazilian Neymar. Pavarësisht se ai u kthye tek Paris Sain Germain, Barcelona vazhdon përpjekjet për ta marrë

U kthye më në fund, por nuk është e sigurt nëse do të qëndrojë. Neymar për momentin mban të veshur fanellën e Paris SG, veçse ndryshimi është në ajër dhe secila palë po bën lëvizjet e saj, pra lojtari, klubi i tij dhe Barcelona që e kërkon.

Vetë futbollisti, i cili nuk ka dëshirë të vazhdojë një vit tjetër në Ligën e Parë të Francës, pavarësisht golave të shumtë të shënuar, dhe trofeve të fituar. Dëshirën e tij besohet se e ka shprehur në Paris, dhe trajneri Tomas Tuhel e pohon.

“E kam ditur që Neymar dëshiron të largohet, – u shpreh ai pak ditë më parë, – kjo është çështje e klubit dhe e lojtarit. Natyrisht, nuk jam i lumtur që ai erdhi vonë në grumbullim, kështu ndodh për çdo lojtar që vonohet, por siç e thashë i takon klubit të vendosë”.

Një sinjal tjetër sulmuesi e dha kur ishte ende në Brazil, dhe u shpreh se momenti më i bukur në karrierën e tij ishte kur fitoi me Barcelonën 6-1 ndaj Paris SG në Champions, duke e eliminuar skuadrën e tij të ardhshme.

Në atë ndeshje, numri 10 shënoi 3 gola duke qenë i papërmbajtshëm. Paris SG besohet se nuk do ta pengojë Neymarin të largohet, edhe sepse ka marrë mesazhin nga Kilian Mbape.

Kampioni i botës me Francën, deklaroi që në Maj se “kam ardhur në një moment të karrierës kur duhet të marr më shumë përgjegjësi, dhe kjo mund të ndodhë tek PSG-ja apo diku tjetër”.

I shpallur si lojtari më i mirë i Ligës franceze, ai dëshiron të jetë numri 1 i ekipit, por kjo do të jetë e vështirë me Neymarin aty. Destinacioni më i mundshëm i brazilianit mbetet Barcelona, edhe pse nuk mund të përjashtohen Reali i Madridit apo Juventusi.

Presidenti Bartomeu e ka rritur ndjeshëm ofertën, duke premtuar 100 milionë euro, plus duke i bërë një paketë prej 6 lojtarësh Paris SG, nga e cila francezët do të zgjedhin dy.

Në listë janë Filip Kutinjo, Usman Dembele, Ivan Rakitiç, Nelson Semedo apo Malkom, si dhe një tjetër emër që nuk bëhet i ditur. Katalanasit duhet të kenë kujdes me rregullat financiare të UEFA-s, që nuk lejojnë diferencë negative më të madhe se 100 milionë euro në shitje-blerje.

Barça ka 223 milionë euro borxhe, ndërsa nëse merr edhe Nejmarin mund të shkojë në mbi 400 milionë. Për këtë arsye, duhet të largojë lojtarë, madje për shuma të mëdha./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!