Enea Mihaj prezantohet te kampionia e Greqisë, Paok i Selanikut

schedule14:40 - 25 Qershor, 2019

schedule 14:40 - 25 Qershor, 2019

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Enea Mihaj, pritet të nisë aventurën e tij të re, te kampionia e Greqisë, PAOK i Selanikut. Mihaj do të luajë këtë sezon edhe në Champions.

Është vetëm 20 vjeç, por po arrin majat. Enea Mihaj, një nga yjet e rinj të kombëtares shqiptare, është prezantuar në mënyrë të shkëlqyer nga PAOK-u i Selanikut, kampionia e Greqisë, me një video të realizuar me mjeshtëri.

“Mos i dil përpara, Mihaj është këtu! E ardhmja është tek ne, ne zotërojmë majat, – është shpjegimi i videos së hedhur në faqen zyrtare në Tuiter të PAOK-ut.

Shqiptari i lindur në ishullin e Rodit në Greqi, paraqitet duke u bërë gati që nga dhoma e tij e hotelit, për të shkuar drejt një etape të re të karrierës së tij ende të shkurtër.

Mihaj jepet duke mbërritur në selinë e PAOK-ut, në stadiumin “Tumba”.

Ai firmosi një kontratë 4-vjeçare me klubin selanikas, dhe pastaj u prezantua me fanelën me vija bardhezi.

E ardhmja është këtu, shkruhet në video, Mihaj është këtu.

Mbrojtësi i qendrës do të luftojë për një vend në formacion, në një skuadër të fortë, të krijuar nga presidenti Savidhis, dhe nga trajneri rumun, Rëzvan Luçesku.

Jo më kot, PAOK-u fitoi titullin sezonin që u mbyll në maj, i treti në histori dhe i pari në 34 vjet.

Po ashtu, skuadra selanikase fitoi edhe Kupën e Greqisë, ndërsa Mihaj do të ketë rast të luajë në Champions. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!