Ëndrra kobëzezë e nënës, rrëfimi i Ferhat Kurtit: Kërkova statusin e minatorit, ja si u ndëshkova

schedule20:49 - 2 Tetor, 2021

schedule 20:49 - 2 Tetor, 2021

Emisioni Vetting- Bulqiza si ëndërr e keqe

“Shigjeta dhe fjala e thënë s’kthehen pas”, këto fjalë i kumbojnë ende sot minatorit Ferhat Kurti, ndërsa shikon djemtë e ri, të zbresin në galerinë ku ai punoi. Ajo derë, atij iu mbyll, pasi mendoi për sigurinë e tij e të ardhmen e tyre, për Statusin e munguar të minatorëve.

“Jam ndëshku… pse jam ndëshku?! Se në vitin 2017 u bë një protestë të miniera e Bulqizës dhe una dola pak më shumë se shokët dhe kërkova pse nuk na jepet Statusi i Minatorit… I thashë drejtuesit të Sindikatës, pse nuk kërkon t’i statusin e minatorit?! Dhe pas kësaj, unë jam pushuar nga puna… U ka shku, shpi për shpi minatorëve dhe i’u kanë thënë, nëse shkoni pas Ferhat Kurtit do pushoheni nga puna… Edhe nëpër zyra: Po shkuat pas Ferat Kurti do pushoheni nga puna… kështu është 100 për qind dhe s’kisha shpëtim…”, tregon Kurti.

Zëri i punonjësve për mbrojtjen e të drejtave të tyre, mbytet nga frika e papunësisë apo edhe kërcënimet. Kush ka folur si Ferhat Kurti, Behamir Gjimi etj., ka vuajtur pasojat.

Kurti, minatori që punoi në galeritë e Bulqizës për 3 dekada, na mëson përmes historisë së tij se në ish “Qytetin-Burg” nga administratorët e minierave ndiqet ende mentaliteti i dënimeve. Kështu pas protestës së bujshme të tij në çadër në kryeqytet, atë e “e degdisën” për dy vjet në minierën e Trepçës, ku bënte rreth 30 minuta rrugë në këmbë, ndërsa ndiqte edhe trunin e natës.  Tregon se në këtë periudhë është ndier si i persekutuar dhe totalisht i pambrojtur në vendin e tij. Por ,si ai, edhe minatorët e tjerë janë të vetëdijshëm, se nëse flasin i pret papunësia.

“Janë pushu shumë kolegë të mi kur ishin në protestën e vitit 2019… I kanë pushu padrejtësisht! Inspektoriati i Punës di vetëm të heshtë… di të favorizojë kompanitë… të marrë urdhëra nga shteti apo drejtues të ndryshëm… Pra, nuk mund të gjesh një zgjidhje te Inspektoriati i Punës…”, tregon minatori Lulzim Alla.

Minatorët e Bulqizës shprehen se ndihen krejtësisht të pambrojtur nga organet e drejtësisë si dhe të tallur nga politikanët që i vizitojnë veçse për të sulmuar njëri-tjetrin a për tu bërë premtimet e radhës në kërkim të votës. Me zërin e mbytur të sindikatave, nuk u mbetet tjetër veçse hallet t’i qajnë mes njëri-tjetrit e  familjarëve.

“A don ta diftoj një andërr që kam pa?!  N’at andërr hyra brenda në minierë… ça me pa, tunelet zi ziii ziiii ziiii… M’u shfaq një djalë i ri, që varej teposhtë në fund të tunelit… U kthye e më tha: -Oj nanë, ça bën këtu… I thashë: Ka ardhë nana me ju pa … -Oh moj nanë, – më tha, nuk qahen hallet tona….”, rrëfen Sulltane Jani, nëna e minatorit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!