Tirana ka afruar Albion Avdijajn për sulmin dhe drejtuesit po punojnë edhe për të tjera përforcime, për të tentuar grupet e Champions League ose të Europa League. Kjo është ëndrra e madhe e 25 here kampionëve të vendit.
Drejtuesit e bardhebluve po tentojnë emra të njohur të futbollit shqiptar, për të mos e diskutuar titullin as sezonin e ardhshëm në Superiore, si dhe për të shkuar sa më lart në kupat e Europës.
Bajram Jashanica mbetet një objektiv për qendrën e mbrojtjes, por nuk është i vetmi lojtar që Tirana po tenton ta marrë nga Skënderbeu. Sipas asaj që shkruan “Panorama Sport”, tashmë në listën e objektivave është edhe Dejvi Bregu.
Sulmuesi vlonjat del lojtar i lirë me përfundimin e kampionatit dhe në kryeqytet do donin ta kishin në skuadër. Nëse ia dalin të nënshkruajnë me të, pa asnjë diskutim që do ishte një goditje në merkato.
Gjithsesi te Tirana nuk ndalen me kaq, pasi mendojnë të rikthejnë në Superiore një prej lojtarëve më të mirë. Sabien Lilaj, tashmë pjesë e Nes Tziona në Izrael, është në krye të listës së dëshirave të bardhebluve.
Kampion për disa vite me Skënderbeun, kampion edhe me Tiranën, një lider në mesfushë. Kjo do ishte një dhuratë super për stafin teknik, e normalisht edhe një sforcim në aspektin ekonomik për Tiranën. /abcnews.al