Ëndrra e realizuar bëhet tatuazh, Raheem Sterling nderohet edhe nga Mbretëresha

schedule17:14 - 14 Qershor, 2021

schedule 17:14 - 14 Qershor, 2021

Raheem Sterling ka lindur në Xhamajkë, në moshën 5-vjeçare u transferua në Angli dhe është rritur në zonën rreth stadiumit “Wembley”. Ëndrra pafund ka pasur i vogël dhe shumë prej tyre i ka realizuar.

Njëra lidhej me Anglinë, veshjen e fanellës me numrin 10 dhe dëshirën e madhe për të shënuar një ditë në stadiumin mitik në një ndeshje të rëndësishme. Ndodhi dje, Anglia mposhti Kroacinë 1-0 me golin e sulmuesit të Manchester City.

27-vjeçari, i cili u shpall më i miri i ndeshjes, gjeti golin e parë në një kompeticion të rëndësishëm me kombëtaren, teksa “Tre Luanët” ia dolën për herë të parë në histori të fitonin takimin e parë në një Europian.

Sterling realizoi ëndrrën e tij, të cilën e ka përjetësuar falë një tatuazhi në parakrahun e tij, aty ku shfaqet vogëlushi Raheem plot ëndrra duke vështruar stadiumin “Wembley”. “Çfarë ndjesie e bukur. Gjithmonë e kam thënë që një ditë do të luaj në ‘Wembley’ dhe do të shënoj në një turne të rëndësishëm.

Jam rritur në një zonë që është 2 minuta larg stadiumit, e kisha të qartë që duhet të shënoja. Tani ia dola dhe ndihem për mrekulli. Mezi prisja të vija dhe të luaja këtu, ishte ndeshja e parë dhe kishim nevojë për fitore.

Duhet të vazhdojmë përpara me fitore, ky mentalitet fitues do të na ndihmojë të shkojmë sa më larg“, deklaroi Sterling, i cili ka marrë një dhuratë bukur edhe nga Mbretëresha e Anglisë.

Sulmuesi i kampionëve të Anglisë u emërua si Anëtar i Perandorisë Britanike nga Mbretëresha Elizabeta II për fushatën e tij kundër diskriminimit racor, nismë dhe aktivitet që e ka filluar që nga viti 2017. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!