Ëndrra Champions e Asllanit/ Mesfushori mund të jetë i pari kuqezi që triumfon

schedule16:35 - 31 Maj, 2025

schedule 16:35 - 31 Maj, 2025

Ka provuar edhe më parë ceremoni të tilla, por jo këtë. Kristian Asllani është ndër shqiptarët e paktë kampionë të Italisë, si dikur Naim Kryeziu, ndërsa ëndrra e madhe, ende e paplotësuar, është fitorja e Championsit.

Iu afrua dy vjet më parë, kur Interi I tij u mund në finale nga Mançester Siti, dhe shansi I dytë është pikërisht sonte, në finalen e Mynihut kundër Paris SG. Mesfushori 21-vjeçar, I cili nuk pritet ta nisë titullar ashtu siç nuk ishte as në 2023, shpreson që të bëhet shqiptari I parë që të ngrejë larg atë që quhet “trofeu me veshë”.

Askush tjetër nuk ia ka dalë, nëse nuk llogarisim Xherdan Shaqirin, vërtet shqiptar nga Kosova, por që tek Bajerni ishte si yll I Zvicrës në 2013 dhe po ashtu tek Liverpuli në 2019.

Jo vetëm kaq, por mediat italiane shkruajnë se shqiptari është protagonist I sigurt nëse finalja do të vendoset nga penalltitë. Siguria e tij kohët e fundit, kur ka shënuar dy 11-metërsha, është garanci për trajnerin Inzagi

Asllani vërtet nuk ka qenë protagonist I madh tek Inter, as në Serinë A, dhe as në Champions, por gjithsesi ka kontributin e tij. Këtë sezon ai ka luajtur më shumë se çdo herë tjetër, plot 7 ndeshje dhe 334 minuta.

Në total, në konkurrimin kryesor europian të klubeve, mesfushori I kombëtares është aktivizuar në 18 përballje, në tre sezone që ka zikaltër.

Në karrierë I ka disa suksese, si titullin kampion në Itali, Kupën e Italisë, dy Superkupa të Italisë, për të mos llogaritur titullin kampion të Italisë me të rinjtë dhe titullin në Serinë B. Shpresa është e madhe që të bëhet edhe kampion I Europës, e ndoshta të luajë disa minuta.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!