“Mbesim të hapur që të ulemi të bisedojmë në mënyrë që ajo ulje të ketë rezultat deri në fund të kësaj jave…”, kjo ishte deklarata e kryetarit të LDK Isa Mustafa.
Ndonëse fundjava ishte përmendur nga lideri i LDK-së Isa Mustafa si afati i fundit për tu arritur një marrëveshje me LVV-në për arritjen e koalicionit qeveritar ose për ta shpallur atë të dështuar nuk ka ndodhur një gjë e tillë.
Zyrtarët e të dyja partive politike kanë zgjedhur heshtjen.
Ndërsa nuk ka pasur asnjë takim ndërmjet tyre së paku zyrtarisht.
Ndonëse jo zyrtarisht mediat kanë raportuar të ketë pasur një takim të premten në mbrëmje deri në orët e para të së shtunës në shtëpinë e kreut të LDK-së Isa Mustafa, megjithatë një gjë e tillë nuk është pohuar e as mohuar nga zyrtarët e partive.
“Nuk kam asnjë informacion”, është përgjigja nga zyrtarët e LVV-së të pyetur nga nëse ka pasur takime të tilla.
Ndonëse takime të shpejta kishin paralajmëruar të premten zyrtarët e të dyja partive, duke lënë të nënkuptohet se ato do të ndodhin në fundjavë.
“Ne nuk e kemi përmbyllur dhe dy palët janë duke bërë përpjekje maksimale që të ndodhë një takim. Shumë shpejt do të ndodh”, tha më herët Fatmire Mullhaxha Kollqaku, nënkryetare e LVV-së.
“E rëndësishme është që është që të arrihet një marrëveshje dhe është mirë që këto 2-3 ditë të kemi lajme të mira për vendin”, deklaroi Vjosa Osmani, nënkryetare e LDK.
Oferta e fundit që ka ardhur nga radhët e LDK-së, ishte ndarja e barabartë e ministrive dhe kryeparlamentari t’i takoj LDK-së deri në zgjedhjen e presidentit.
Kjo ofertë është refuzuar nga LVV, duke thënë se posti i kryeparlamentarit është i paprekshëm dhe se Glauk Konjufca është i denjë për ta përfaqësuar atë pozitë.
Albin Kurti ka kohë edhe 9 ditë në bazë të afateve kushtetuese që të siguroj shumicën parlamentare për të formuar qeverinë e re./abcnews.al