Është zbardhur brenda pak orësh sherri në Shkodër. Mësohet se është arrestuar Edmond Sakicaj dhe po vijon puna për kapjen e 5 personave të tjerë të përfshirë në sherr, Izmir Sakicaj, Samet Halluni, Arlind Kajoshi, Samuel Troshani, dhe Alban Bruçi.
Mësohet se këta shtetas kanë goditur fizikisht dhe me sende të forta, gjatë konfliktit për vendparkimin e automjeteve, shtetasin Vladimir Bruçaj, i cili vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.
Sakaq, nga veprimet hetimore dyshohet se Sakicaj ka patur me vete armë zjarri.
Njoftimi i Policisë:
Zbardhen brenda pak orësh, rrethanat e konfliktit të ndodhur mesditën e djeshme, në rrugën “Pogej”, si pasojë e të cilit u dëmtua me sende të forta, për motive të dobëta, shtetasi.
Identifikohen 6 shtetasit e përfshirë në këtë ngjarje. Vihet në pranga njëri prej tyre, Edmond Sakicaj, vijon puna për kapjen e 5 të tjerëve.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, të organizuara dhe të kryera menjëherë pas marrjes së njoftimit, mesditën e djeshme, për një konflikt në rrugën “Pogej”, si pasojë e të cilit u dëmtua shtetasi 62 vjeç, banues në Shkodër, specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër kanë identifikuar 6 shtetas të përfshirë në këtë ngjarje.
Në vijim të veprimeve procedurale:
– u arrestua shtetasi 47 vjeç dhe u shpallën në kërkim shtetasit 23 vjeç, 27 vjeç, 31 vjeç, 24 vjeç dhe 27 vjeç, të gjithë banues në Shkodër.
Këta shtetas kanë goditur fizikisht dhe me sende të forta, gjatë konfliktit për vendparkimin e automjeteve, shtetasin, i cili vijon të jetë në kujdesin e mjekëve. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi ka patur me vete armë zjarri, ndërsa shtetasi dyshohet se ka kryer veprime që pengojnë zbulimin e ngjarjes.
Vijon puna për kapjen e shtetasve në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”./abcnews.al