Emri në arkivat e ish-Sigurimit, Meta: Njoh 50 I.M, s’jam as deputet e as president, pse kjo urgjencë Parlamentit për të ndryshuar ligjin?

schedule14:01 - 27 Korrik, 2022

schedule 14:01 - 27 Korrik, 2022

Në një konferencë për mediat, kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar pasi emri i tij, sipas Autoritetit të Dosjeve, rezulton në arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit. Sipas Metës, bëhet fjalë për një lëvizje politike ndaj figurës së tij për të hequr vëmendjen nga afera e inceneratorëve.

Ish-presidenti akuzoi kryetaren e Kuvendit se po përdoret nga kryeministri Edi Rama, të njëjtën akuzë ai e kishte edhe për Autoritetin e Dosjeve për të cilin tha se po publikon materiale të manipuluara.

Meta sqaroi se gjatë kohës që përmendet ai ka qenë Sekretar i Rinisë në Fakultetin e Ekonomisë ku, siç u shpreh ai, ka pasur dhe shumë Ilir Meta të tjerë. Një prej tyre madje e ka pasur edhe në klasë.  Po ashtu, ish-kreu i shtetit siguroi qytetarët se në këto 30 vite angazhim në arenën politike ka qenë dhe do të vijojë të jetë i pasur edhe për ” 30-40 vitet e ardhshme.”

“Pse bëhet kjo? Çfarë i kushtonte Autoritetet që qenka shqetësuar, që të thërriste I.M. nëse ish ky këtu, që është Ilir Rexhep Metaj. Nuk jam as president, as deputet, dhe për se u dashka bërë me urgjencë një ligj i posaçëm për këtë I.M. që ata ta verifikojnë? Patjetër u ngrit Parlamenti në këmbë. Po cili Parlament? Ai me në krye zonjën Nikolla, apo Lindita e Ramës në Parlament që përdoret për nevojat personale të tij, siç është urgjenca për të spostuar vëmendjen nga afera e inceneratorëve ku do të përvëlohen të gjithë…Parlament patronazhistësh, me një opozitë plot me Lulushë. Po cili Parlament qenka shqetësuar për këtë çështje? Ky Parlament që falsifikoi e firmën e kryetarit të Parlamentit në një moment të rëndësishëm të shtetit shqiptar, kur vijohej gjyqi kundër presidentit të Republikës…Lindita e Parlamentit përdoret për nevojat personale të hallexhiut Esatit, për të shmangur vëmendjen. Kush e ka ndaluar këtë autoritet t’i bëjë publike se sa I.M. kanë qenë në Fakultetin e Ekonomisë. Në atë kohë kam qenë Sekretar i Rinisë së Fakultetit të Ekonomisë. U zgjodha se i kisha thuajse të gjitha dhjeta por edhe se kisha aftësi lideri që atëherë. Unë njoh 50 Ilir Metaj. Në klasë kemi qenë dy Ilir Metaj. Ai ishte njeri korrekt dhe jam i sigurt që s’ka qenë. Autoriteti ka një përgjegjësi të madhe, se për nevoja të Ramës, shkatërron besimin e tij në publik. Për çështjen në fjalë dua të siguroj të gjithë qytetarët që Ilir Meta është këtu pas 30 vitesh angazhimi në politikë sepse ka qenë dhe është dhe do të jetë i pastër në ndërgjegjen e tij. Por do të vazhdojë edhe nja 30-40 vjet të tjera. Ëndrra ime tani është të bëhem sa më shpejt kryetar i Referendumit,” tha Meta.

Kujtojmë se më herët gjatë ditës së sotme, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka dalë në një konferencë për mediat, pas mbledhjes me krerët e grupeve parlamentare, lidhur me letrën e Autoritetit të Dosjeve.

Nikolla tha se thirri në mbledhje krerët e grupeve për t’i vënë në dijeni për këtë letër. Kryeparlamentarja e cilësoi si tronditëse dhe se Kuvendi duhet të reagojë. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!