EMRI/ Ky është personi i shpallur në kërkim nga policia, i akuzuar për vrasjen e Erjon Xhenjes

schedule19:08 - 22 Shtator, 2022

schedule 19:08 - 22 Shtator, 2022

Policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim Bajram Çekorjan, pasi ai dyshohet si autori i vrasjes së 19-vjeçarit Erjon Xhenje, i cili u ekzekutua mbrëmjen e 18 shtatorit ndërsa ishte duke pirë kafe në një lokal pranë Bulevardit “Bujar Bishaniku” pranë vendit të quajtur rruga e madhe.

Burime për Abc bëjnë me dije që lidhur me këtë ngjarje policia ka shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë.

Kujtojmë që dy javë para vrasjes së 19-vjeçarit Xhenje, u ekzekutua pranë shtëpisë së tij në lagjen Kiras, Ismet Çekorja, i cili është babai i Bajram Çekorjas.

Katër ditë para vrasjes Ismet Çekorja doli dhe foli para mediave duke marrë në mbrojtje djalin e tij, i cili akuzohej gjithashtu për atentatin ndaj Alban Bruçit, i cili arriti të shpëtojë.

Njoftimi i policisë:

Identifikohet dhe shpallet në kërkim një 24-vjeçar, i dyshuar si autori kryesor i ngjarjes së ndodhur në datën 18.09.2022, në bulevardin “Bujar Bishanaku”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri një shtetas.

Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, falë veprimeve të shpejta hetimore për zbardhjen e ngjarjes të ndodhur më datë 18.09.2022, në bulevardin “Bujar Bishanaku”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri një 19-vjeçar, është identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasi B. Ç., 24 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar si autori kryesor i kësaj ngjarjeje.

Nga veprimet hetimore dhe provat e grumbulluara dyshohet se shtetasi B. Ç., më datë 18.09.2022, rreth orës 20:10, në një lokal në bulevardin “Bujar Bishanaku” Shkodër, ka vrarë me armë zjarri shtetasin E. Xh., 19 vjeç, banues në lagjen “Guerile”, Shkodër.

Gjatë kontrollit të territorit nga shërbimet e shumta të Policisë, në rrugën “Saçej”, në lagjen “Guerile”, është gjetur një motomjet i djegur plotësisht, si dhe 1 armë zjarri pistoletë, që dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje.

Po punohet për kapjen e shtetasit B. Ç., identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit”.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!