Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, do të dorëzojë të enjten në Shkup marrëveshjen me 20 faqe për zgjidhjen e çështjes së emrit. Mediat në Maqedoni raportojnë se kjo marrëveshje do të hapë shumë probleme për qeverinë e kryeministrit Zaev.
Rreth 55 paragrafë, për të gjitha çështjet e hapura, të vendosura në 20 faqe, përmban projekt-marrëveshja e propozuar nga Athina, për zgjidhjen e kontestit të emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë. Kështu shkruajnë mediat shqiptare të Maqedonisë duke cituar të përditshmet e Athinës.
Drafti i përgatitur nga Ministria e Jashtme greke dhe i shqyrtuar nga kryeministri Aleksis Tsipras dhe Nikos Kotzias përmban pikat e zgjidhjes të njoftuara më herët nga kreu i diplomacisë greke. Lidhur me emrat e përfshirë, mediat raportojnë se Maqedonia e Epërme është emri i “preferuar” për Athinën, por pa përkthime. Kjo do të jetë diçka shumë e vështirë për t’u pranuar nga Shkupi.
Një tjetër pikë e kërkesave greke është ndryshimi i Kushtetutës. Çështja e ndryshimit të emrit, si dhe tema të tjera që lidhen me Kushtetutën e vendi fqinj për ndryshimin e saj është një nga kërkesat themelore të Athinës si një garanci për zbatimin e marrëveshjes për përdorimin e emrit të ri.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon një shumicë në Kuvendin e Maqedonisë. Por këtu fillojnë problemet, pasi koalicioni qeveritar i LSDM-së dhe BDI-së nuk i ka deputetët e nevojshëm. Sipas disa informacioneve të mediave shqiptare në Maqedoni, propozimet greke janë dërguar në Shkup që nga 12 Marsi.