Emri i Maqedonisë, të hënën shpallet data e referendumit

schedule17:04 - 28 Korrik, 2018

schedule 17:04 - 28 Korrik, 2018

Kryetari i parlamentit të Maqedonisë Xhaferi, pritet që të hënën të shpallë datën e mbajtjes së referendumit për çështjen e emrit. Mediat maqedonase shkruajnë se dhe pse nuk ka një konfirmim zyrtar data më e mundshme është ajo e 30 Shtatorit.

Të hënën anëtarët e rinj të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve do të betohen para kreut të Kuvendit të Maqedonisë. Betimi që ishte caktuar për të shtunën u shty për shkak të agjendës së kryeparlamentarit Xhaferi. Ky i fundit pritet që të hënën të shpallë edhe datën për mbajtjen e referendumit për marrëveshjen e emrit me Greqinë.

Si datë e mundshme, jo zyrtarisht mësohet të jetë 30 Shtatori. Referendumi do të shpallet pa u konkretizuar pyetja. Në mungesë të dialogut me VMRO-DPMNE-në, pyetja do të jetë e llojit: A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE duke pranuar marrëveshjen për emrin me Greqinë?

Qeveria vlerëson se nuk ka nevojë për takim të ri të liderëve për të tejkaluar dallimet mbi mënyrat e referendumit. Sipas zëvendëskryeministres, Radmilla Shekerinska pyetja e referendumit përbën fakt të pamohueshëm.

Të mërkurën që lamë pas, Kuvendi zgjodhi anëtarët e rinj të KSHZ-së. Në një paketë miratoi edhe ndryshimet në ligjin mbi qeverinë. Me zhbllokimin e KSHZ-së, Kuvendi hapi rrugën për shpalljen e referendumit lidhur me marrëveshjen e Prespës.

Për këtë, kryeminsitri i vendit Zaev theksoi se ka mbështetjen e të gjitha partive parlamentare të cilat ai i quajti koalicioni për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE. Në takimin e parë me më shumë liderë politik, Zaev ka marrë garanci që subjektet parlamentare, përveç VMRO-DPMNE-së do të garantojnë proces të suksesshëm të referendumit./abcnews.al