Arrestohet në Tiranë për armëmbajtje pa leje presidenti i klubit të Futbollit të Turbinës së Cërrikut, Gentian Gjoka.
Ai prangos mbrëmjen e së enjtes pranë banesës së tij në zonën e ish-Bllokut me një pistoletë model “TT” bashkë me fishekë luftarak. Gjoka ishte shpallur në kërkim nga policia e Vlorës edhe për akuzën e “mashtrimit”.
Sipas uniformave blu kryeqytetit, Gjoka nuk ka bërë rezistencë gjatë momentit të kontrollit, ndërsa operacioni për kapjen e tij u kodua “Lokalizmi” dhe u realizua në rrugën Medar Shtylla.
Burime nga ABC News bëjnë me dije se Gentian Gjoka prej gati 14 vitesh ka qenë president i klubit të Futbollit “Turbina”, ekip i cili militon në kategorinë e parë.
Ndërkohë polica ka dhënë edhe detajet dhe rrethanat e arrestimit të Gjokës:

Njoftimi i policisë:
“Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe kapjen e personave në kërkim.
Operacioni “Lokalizmi”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 2.
Kapet një person i shpallur në kërkim, i cili mbante armë zjarri me vete.
Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë, me një karikator me fishekë luftarak.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me armë zjarri, kanë shtuar kontrollet në gjithë territorin që kanë në juridiksion.
Bazuar në informacionet e marra nga qytetarët se një person në kërkim qarkullonte me armë zjarri, nga shërbimet e Seksionit të Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë është organizuar dhe finalizuar operacioni “Lokalizimi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit të shpallur në kërkim:
- Gj., 45 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur lokalizimin e tij në rrugën “Medar Shtylla” dhe falë ndërhyrjes në kohë është bërë e mundur kapja e tij. Nga kontrolli fizik dhe në banesë këtij shtetasi iu gjet një armë zjarri pistoletë, me një krehër me fishekë luftarak.
Nga verifikimet e bëra rezultoi se shtetasi G. Gj. ishte i shpallur në kërkim për llogari të DVP Vlorë, për veprën penale “Mashtrimi”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”./abcnews.al


