Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy persona të cilët kanë vjedhur një shumë të konsiderueshme parash prej 20 milionë lekësh të reja dhe 50 mijë franga, në automjetin e tij tip “Range Rover”, në pronësi të shtetasit me iniciale F.B..
Në kuadër të operacionit të koduar “Kombinacioni”, uniformat blu kanë bërë të mundur arrestimin e Donald Hoxhë 27 vjeç dhe Gentian Kanes 44 vjeç, të dënuar më parë për vjedhje.
Ndërkohë policia bën me dije se këta dy shtetas kishin ndjekur lëvizjet e shtetasit F. B. dhe në momentin që ky shtetas është futur në qendrën tregtare, ata i kanë vjedhur shumën e parave në bagazhin e automjetit.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2, operacioni policor “Kombinacioni”.
Zbardhet në kohë rekord vjedhja e një shume të madhe parash në automjetin e shtetasit F. B.
Identifikohen, lokalizohen dhe vihen në pranga 2 autorët e dyshuar.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 17.5 milionë lekë të reja dhe 50 mijë franga.
Strukturat për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas denoncimit të marrë nga shtetasi F. B., se më datë 22.05.2020, rreth orës 19:00, pranë Qendrës Kristal, në zonën e Komunës së Parisit, persona të paidentifikuar i kishin vjedhur një shumë të konsiderueshme parash prej 20 milionë lekësh të reja dhe 50 mijë franga, në automjetin e tij tip “Range Rover”, organizuan punën per zbulimin, lokalizimin dhe kapjen e autorëve.
Falë veprimeve të shpejta, informacioneve të marra në rrugë operative dhe ndjekjes intensive për 24 orë u bë i mundur zbulimi dhe identifikimi i autorëve të kësaj ngjarjeje.
Po në vijim të punës intensive dhe veprimeve hetimore u bë lokalizimi i vendndodhjes së autorëve dhe në kuadër të operacionit policor të koduar “Kombinacioni”, u bë arrestimi në flagrancë i tyre në qytetin e Fierit, konkretisht:
- H., 27 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”;
- K. 44 vjeç, banues në Tiranë; i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhje”
Nga veprimet hetimore rezultoi se këta dy shtetas kishin ndjekur lëvizjet e shtetasit F. B. dhe në momentin që ky shtetas është futur në qendrën tregtare, ata i kanë vjedhur shumën e parave në bagazhin e automjetit.
Në momentin e kapjes, këtyre shtetasve iu janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi parash prej 17.5 milion lekësh të reja dhe 50 mijë franga.
Materialet i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhje”.