Policia e shtetit në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit ka dërguar formularët për justifikimin e pasurisë katër personave banues në Fier dhe Tiranë.
Ata janë: Fatmir Kallashi dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, Renato Rapaj i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, Lulëzim Çepele, i dënuar për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, Shkëlqim Kurpalaj i dënuar për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
Të katër këta persona do të duhet ti përgjigjen pyetjeve të OFL brenda 48 orëve, më tej do të jetë SPAK që do të vijojë me procedurat për pasurinë e tyre.
Njoftimi i Policisë:
OFL, 17 nëntor
Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
F. K., banues në Fier, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
R. R., banues në Fier, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë;
L. Ç., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”;
Sh. K., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.
n.d./abcnews.al