Sot është afati i fundit ku kandidatët për kreun e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) duhet të paraqesin kërkesën për interes.
Tre kandidatët janë Arben Kraja, Edvin Kondili dhe Altin Dumani, ku bashkë me kërkesën kanë shprehur edhe vizionin për një Prokurori të Posaçme Antikorrupsion funksional dhe efektiv.
Gazetarja Glidona Daci bën me dije për abcnews.al se Kraja ka aplikuar pak minuta më parë në KLP, ndërkohë që afati përfundimtar është deri në fund të ditës së sotme.
Duke qenë se se deri më tani funksionon me tetë anëtarë, drejtuesi do të ketë një mandat të përkohshëm prej tre muaj.
SPAK pritet të fillojë punë më datë 19 dhjetor pasi të betohen para Presidentit të Republikës.
Duke iu referuar rregullores, kreu i SPAK-ut do të zgjidhet në bazë të eksperiencës në ndjekjen e çështjeve sensitive; aftësisë në organizimin dhe drejtimin e një strukture; eksperiencës në çështje me ndjeshmëri të lartë publike ku është dashur edhe bashkëpunimi me median; vizionit dhe planit që do ndjekin për krijimin e Prokurorisë së Posaçme, si dhe imazhit që ata kanë.
Me vënien në punë të Prokurorisë së Posaçme do të shkrihet Prokuroria për Krime të Rënda, një pjesë e kompetencave të saj do t’i marrin prokuroritë e rretheve, ndërsa krimi i organizuar dhe korrupsioni do të hetohen dhe gjykohen nga Struktura e Posaçme. /abcnews.al