Inceneratori i Tiranës, 8 urdhër arreste/ SPAK ka dyshime për pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal

schedule09:57 - 13 Korrik, 2024

schedule 09:57 - 13 Korrik, 2024

Prokuroria e posaçme ka lëshuar 8 urdhër arreste në lidhje me hetimet mbi ndërtimin e Inceneratorit të Tiranës. Mësohet se masat e sigurisë arrest në burg janë firmosur nga gjykata e posaçme për Dashamir Ymerajn, Endrit Habilajn, Denisa Tollkuçin, Renardo Nallbanin dhe Ilir Deden.

Po kështu arrest në burg është caktuar edhe për 3 persona të tjerë 2 prej të cilëve me shtetësi italiane dhe një tjetër me shtetësi holandeze, por emrat e tyre nuk bëhen ende me dije. Jo zyrtarisht mësohet se personat e përfshirë mes të cilëve biznesmenë, zyrtarë dhe gazetarë, akuzohen për grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash. Nga ana tjetër nuk ka ende një njoftimi zyrtar nga ana e prokurorisë së posaçme apo e policisë së shtetit dhe nëse janë ekzekutuar apo jo masat e sigurisë. Jo zyrtarisht mësohet se deri më tani nuk është arrestuar asnjë prej të dyshuarve. Ndërsa dy javë më parë, në disa media u publikua lajmi për një operacion të madh të SPAK ku të përfshirë rezultonin disa persona mes të cilëve, por SPAK në atë kohë në një njoftim për mediat e përgënjeshtroi lajmin.

Dhjetorin e kaluar SPAK lëshoi 15 urdhër-arreste për inceneratorin e Tiranës, mes të cilëve zyrtarë të Bashkisë së Tiranës dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit. Arrest në burg u caktua për Taulant Tushën, drejtor në Bashkinë e Tiranës. Në të njëjtën masë u vendos edhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i dënuar për 2 koncesionet e tjera të inceneratorëve, si dhe ish-Sekretari i kësaj ministrie, Alqi Bllako.

abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!