Policia e shtetit në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit ka njoftuar se kanë dërguar formularin për justifikimin e pasurisë ndaj 3 të dënuarve për vepra të rënda penale .
Personave që u kërkohet deklarimi i pasurisë janë: Ndue Pepaj, Endri Alibali, Ali Kopliku.
Ata duhet tu përgjigjen me shkrim të gjithë pyetjeve të dërguara nga OFL dhe më pas do të jetë SPAK që do të vendosë për procedurën dhe ligjshmërinë e kërkesës.
Njoftimi:
Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020.
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
N.P., banues në Malësi të Madhe, i dënuar për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale”, “Trafiku ndërkombëtar i narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo të veprimtarisë kriminale”;
E.A., banues në Shkodër, i dënuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”;
A.K., banues në Shkodër, i dënuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Largimi nga vendi i vuajtjes së dënimit”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë./abcnews.al