GREQI- Një kriminel famëkeq nga Maqedonia e Veriut dhe një shtetas shqiptar kanë rënë në prangat e policisë greke, të akuzuar për një sërë veprash penale.
Fred Mykaj, 46 vjeç nga Mallakastra dhe Boban Ristevski, 45 vjeç nga Shkupi, akuzohen se të maskuar kanë hyrë në banesën e tre të moshuarve të moshës 68, 74 dhe 87 vjeç në Tripoli Arkadhia dhe nën kërcënimin e një arme imituese dhe një thikë, i kanë lidhur dhe u kanë grabitur 19 mijë 65 euro dhe bizhuteri në vlerën 500 euro. Pas disa minutash, e moshuara 68 vjeçare ka arritur të zgjidhet dhe ka njoftuar policinë.
Pas mbërritjes në vendngjarje dhe veprimeve të para, ka nisur operacioni dhe ndjekja e autorëve duke përfunduar me arrestimin e tyre në një pyll.
Nga hetimi rezulton se autorët kanë mbërritur në vendngjarje me një automjet tip “Suzuki Celerio” i marre me qira, të cilës i kishin vendosur targa të denoncuara të vjedhura në 10 maj 2024 në Tripoli.
Gjatë kontrollit në automjet u gjetën dhe sekuestruan 1 pistoletë imituese, 1 kartë identiteti false kroate, 1 patentë false kroate, 4 celularë dhe sende të tjera.
Rezulton se Boban Ristevski, ka thyer lejen 8 ditore të marrë nga burgu i Hanias për periudhën 15-22.01.2024 dhe nuk ishte kthyer më.
Të dy autorët rezultojnë me precedentë penalë, ndërsa Ristevski është dënuar për pjesëmarrje në rrëmbimin e pronarit të anijes Perikli Panagopoulos, për lirimin e të cilit u paguan 30 milionë euro.