Operacioni Forca e Ligjit gjatë aksionit të zhvilluar këtë të martë në Shkodër ka sekuestruar pasuritë e të dyshuarve si “kokat e krimit” në këtë qytet.
Sipas policisë në kuadër të OFL-së është bërë e mundur që në Shkodër të sekuestrohen vila me pishina dhe makina luksoze, të shtetasve Martin Bleta, Ardian Doci, Aldo Majnishta, Gentian Finiqi, Artan Doci, të cilët janë në listat e të dyshuarve në botën e krimit.
Gjithashtu bëhet me dije se këta persona janë të dyshuar si të përfshirë në pengmarrjen e Jan Prengës sëbashku me familjen Hajri në 17 janar të këtij viti, duke rezultuar me vrasjen dhe groposjen e këtij të fundit.
Ndërkohë paraditen e kësaj të marte, policia i kërkoi Lulzim Berishës dhe familjes Çapja nga Elbasani që të justifikonin pasurinë brenda 48 orëve, në të kundërt do t’u sekuestrohej.
Ndërsa një ditë më parë Operacioni Forca e Ligjit ka goditur familjen Hajri në Shijak duke iu sekuestruar kompleksin “Golden”.
Njoftimi policisë:
Një vazhdim të aksionit të nisur ditën e djeshme nga Operacioni Forca e Ligjit, lidhur me ngjarjen e datës 17.01.2020, sot, më datë 04.02.2020, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka nxjerrë urdhrat e sekuestrimit për subjektet e mëposhtme:
- Shtetasit A. M., me banim në lagjen Skënderbeg, Shkodër, i është sekuestruar:
- Një banesë njëkatëshe, e ndodhur në lagjen Skënderbeg, Shkodër.
- Shtetasit M. D., me banim në Nicaj, Shkodër, i është sekuestruar:
- Një banesë dykatëshe + një kat njësi shërbimi, e ndodhur në lagjen Fermentim, Shkodër;
- Pasuria e llojit arë me sipërfaqe 1541 m2 ;
- Pasuria e llojit truall me sipërfaqe 350 m2.
- Shtetasit A. D., me banim në lagjen Bleran, Njësia Administrative Rrethina, Shkodër, i është sekuestruar:
- Një banesë dykatëshe, e ndodhur në lagjen Bleran, Njësia administrative Rrethina, Shkodër;
- 3 automjete
- 1 motor.
- Shtetasit G.F me banim, lagjen Skënderbeg, Shkodër, i është sekuestruar:
- Një banesë vilë katërkatëshe, me pishinë;
- Një automjet;
- Shtetasit A. D. me banim në lagjen Bleran, Njësia Administrative Rrethina, Shkodër, i është sekuestruar:
- Një banesë trekatëshe, e ndodhur në Hot i Ri, Shkodër.
- Shtetasit M. B., me banim në Grudë e Re, Shkodër, i është sekuestruar:
- Një banesë dykatëshe + një kat papafingo, e ndodhur në Grudë e Re;
- Një automjet;
Operacioni vijon…/abcnews.al