EMRAT/ Atentat Inez Hajrullës në mes të Vlorës, policia arreston 4 persona

schedule13:06 - 15 Nëntor, 2019

schedule 13:06 - 15 Nëntor, 2019

Policia e Vlorës ka arrestuar 4 persona për atentatin ndaj Inez Hajrullës në maj të këtij viti ku mbeti i plagosur një kalimtar i quajtur Dajko Canodemaj.

Operacioni policor i koduar “Gjurmimi” çoi në pranga Daut Elmazi, 25 vjeç, banues në Vlorë; Albano Goxhaj, 24 vjeç, banues në Fier; Dejvison Serjani 28 vjeç, banues në Tiranë dhe Ardjan Ahmeti, 26 vjeç, banues në Tiranë.

Ngjarja

Ngjarja e rëndë ndodhi në 10 maj të këtij viti ku të shtënat shkaktuan panik në zonë.

Ndaj 26-vjeçarit u qëllua me breshëri automatiku nga disa persona që lëviznin me një makinë “Land Rover”. Atentati ndodhi në një lokal në zonën e “Ujit të Ftohtë”, ku nga plumbat pati një person të plagosur, që ishte klient në lokal.

Policia ka kërkuar të marrë dhe gjurmët e mundshme në automjetin e djegur në fshatin Babicë, brenda të cilit u gjetën edhe dy armë, të tipit kallashnikov.

Armët ishin pothuajse të djegura, ndërsa nga grupi hetimor po shihet nëse mund të ketë ndonjë gjurmë më shumë që mund të çojë drejt identifikimit të autorëve. Atentati që iu bë të premten Inez Hajrullait, sipas Policisë, dy shohet se mund të jetë kryer nga katër persona, të cilët ndodheshin në brendësi të automjetit tip “Land Rover”, me ngjyrë të zezë.

Atentati ndodhi një prej lokaleve, që në Vlorë njihet si vendi që frekuentohej nga Edison Harizaj, një prej të fortëve të Vlorës, i vrarë vitin e kaluar në Durrës. Hajrulla dyshohet se është pjesë e grupit të Harizajt. 26-vjeçari është djali i një biznesmeni të njohur në qytetin bregdetar dhe njihet si person me rrezikshmëri.

I riu është dënuar dy herë. Në shkurt 2018, Hajrulla ka marrë një dënim me 2 vite heqje lirie për “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Dënimi kishte lidhje pikërisht me armën që iu gjet gjatë atentatit me eksploziv, të ndodhur në nëntor të 2017, por ky dënim u pezullua duke e lënë të riun në shërbim prove. Gjithashtu, në fund të vitit u dënua me 8 muaj për “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Inez Hajrulla është person i marrë në hetim për zhdukjen e Elvis Troqes në Vlorë, në korrik 2017. Përfshirja e tij në këtë çështje erdhi pasi një nga dëshmitarët, që është personi i fundit që ka takuar 25-vjeçari Troqe, ka deklaruar për hetuesit se Elvisi ishte larguar nga lokali ku po qëndronin, duke i thënë se do të takonte një shok me emrin “Ini”, që dyshohet se i referohet pikërisht Inez Hajrullait, pasi në Vlorë njihet si “Ini i Çones”.

Përveç zhdukjes së 25-vjeçarit, Hajrulla dyshohet se është përshirë dhe në ngjarje të tjera kriminale që janë ende të pazbardhura.

Njftimi i Policisë

Në vijim të ngjarjes së ndodhur më datë 10.05.2019, në lagjen “Ujë i Ftohtë”, ku persona të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri në drejtim të një lokali dhe si pasojë mbeti i plagosur 63-vjeçari D. C., ju informojmë se:

Policia e Vlorës, si rezultat i punës intensive hetimore prej 6 muajsh, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Vlorë, ka bërë zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcave Operacionale, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative për vendodhjen e personave të dyshuar si autorë dhe bashkëpunëtorë në këtë ngjarje, kanë organizuar punën duke finalizuar operacionin policor të koduar “Gjurmimi”, si rezultat i të cilit kanë bërë ndalimin e shtetasve:

  • D. E., 25 vjeç, banues në Vlorë;
  • A. G., 24 vjeç, banues në Fier;
  • D. S., 28 vjeç, banues në Tiranë;
  • A. A., 26 vjeç, banues në Tiranë;

Në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. /abcnews.al