Emra pafund për pankinën dhe një skenar absurd, ç’po ndodh te Tirana

schedule08:06 - 10 Dhjetor, 2019

schedule 08:06 - 10 Dhjetor, 2019

Tirana ka dalë dje në stërvitje, por trajneri Julian Ahmataj dhe ndihmësi i tij Akil Jakupi nuk janë shfaqur. Ende nuk ka një komunikim zyrtar për largimin e Ahmatajt, por kapitulli i tij te bardheblutë është mbyllur dhe tanimë po mendohet për atë që do ta drejtojë Tiranën në vazhdim.

Emrat që qarkullojnë janë të shumtë, duke nisur nga Bledar Devolli. Trajneri është pjesë e klubit dhe aktualisht drejton Tiranën U19. Gjirokastriti është i gatshëm, por ka edhe një alternativë si Gugash Magani. Peqinasi e ka drejtuar edhe më parë Tiranën, madje është trajneri i fundit që ka triumfuar në derbi me Partizanin.

Një tjetër emër surprizë që është shtuar në listën e kandidatëve është edhe Zekerija Ramadani. Trajneri kampion me Ferinokelin dhe Trepça ’89 në Kosovë ka drejtuar më parë edhe në Superiore, pasi ka qenë në krye të Flamurtarit. Gjithashtu ai ka drejtuar edhe Shkupin në Maqedoninë e Veriut.

Skenari më i bujshëm i dalë në media është ai i rikthimit të Ardian Memës. Sipas “Panorama Sport”, bardheblutë e tentojnë një lëvizje të tillë. Nëse do të ndodhte dhe Mema të merrte sërish drejtimin e Tiranës, sigurisht komentet do të ishin të shumta. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!