“Emoji i lumturisë” mbërthen në emocione fëmijët lezhjanë

schedule16:40 - 16 Prill, 2019

schedule 16:40 - 16 Prill, 2019

Pas teatrit të kukullave, për fëmijët lezhjanë po dhurojnë emocione të bukura edhe aktorë të njohur. Kësaj here, shfaqja “Emoji i lumturisë” mbushi sallën e Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Lezhë.

“Emoji i lumturisë” nga Tirana në skenë për fëmijët e Lezhës. Jo teatër kukullash, por një lojë aktorësh të teatrit për të kënaqur e nxitur të vegjlit. Marjana Kondi flet mbi nevojën për t’i mësuar ata me kulturën e teatrit.

“Fëmija sot duhet të mësohet patjetër me kulturën e teatrit. Fakti që ti ia zë kohën që të vijë në teatër është gjërja më e madhe”, tha aktorja e njohur, Marjana Kondi.

Afrimi i aktorëve të njohur pranë fëmijëve është një tabu që po thyhet në Lezhë, thotë drejtori i Kulturës në Bashki, Ardian Laçi.

“Këta fëmijë sot janë spektatorë nesër mund të jenë aktorë. Kështu që le ta thyejnë atë tabunë dhe figurat e ekranit mos t’i shohë nëpërmjet ekranit të vogël, por të jenë në skenë, t’i kenë bashkëpunëtorë dhe pse jo të ndjekin gjurmët e tyre”, tha Ardian Laçi, drejtor i Kulturës në Bashkinë Lezhë.

Pjesa teatrore, “Emoji i lumturisë”, i ka përfshirë maksimalisht fëmijët spektatorë të saj. Të emocionuar, ata ndoqën lojën  e aktorëve në skenë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!