Emiratet, të gatshme të ndërmjetësojnë për arritjen e paqes mes Izraelit dhe palestinezëve

schedule21:30 - 23 Maj, 2021

schedule 21:30 - 23 Maj, 2021

Emiratet e Bashkuara Arabe thanë se janë të gatshme të ndërmjetësojnë arritjen e paqes ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve.

Princi i Kurorës së Abu Dabit, sheiku Mohammed bin Zayed al-Nahyan i bëri këto komente gjatë një bisede telefonike që zhvilloi me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Siri, shteti i të cilit, me ndihmën e SHBA-së, ndërmjetësoi marrëveshjen e armëpushimit mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit.

Armëpushimi ka hyrë në fuqi të premten dhe nuk ka raportime që grupi militant, Hamas apo ushtria Izraelite ka kryer ndonjë shkelje të tij.

Emiratet e Bashkuara Arabe, që vitin e kaluar normalizuan raportet me Izraelin, “janë të gatshme që të punojnë me të gjitha palët që të respektohet armëpushimi dhe të shikohen edhe mënyra të reja për të zvogëluar përshkallëzimin dhe për të arritur paqen”, citohet të ketë thënë Princi i Kurorës.

Princi i Kurorës gjatë kësaj bisedime me presidentin egjiptian, po ashtu ka theksuar se për t’u arritur një gjë e tillë “duhen përpjekje shtesë, veçmas nga liderët izraelitë dhe palestinezë”.

Marrëveshjet për normalizim me Izraelin, që vitin e kaluar nënshkuran Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni, e që u pasuan nga Sudani dhe Maroku, u dënuan nga palestinezët, duke thënë se me këto veprime, këto shtete braktisën pozicionin e unifikuar, sipas të cilit, shtetet arabe kërkojnë që paqja të arrihet vetëm përmes zgjidhjes me dy shtete./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!