Teuta i është falur golit të shënuar nga Emiliano Vila në minutën e 10-të për t’i dhuruar kështu një fitore shumë të rëndësishme durrsakëve përballë Dinamos në “Elbasan Arena”.
Ky është edhe goli i parë për këtë sezon për 33-vjeçarin, i cili pas ndeshjes ka deklaruar se golin e kërkonte prej disa javës, ndërsa është shumë i lumtur që më në fund mundi të gjente edhe rrugën e rrjetës.
E.Vila gjithashtu theksoi se skuadra e Teutës po rinovohet, pasi trajneri ka bërë pjesë të grupit edhe disa lojtarë të rinj të cilët pritet të tregojnë vlerat e tyre në Abissnet Superiore.
“E kam kërkuar golin gjithë këto javë, por nuk e kam gjetur. Jemi të lumtur, ishte një ndeshje shumë e luftuar përballë një rivali direkt. Sot nuk erdhëm këtu për të luajtur bukur, por për të fituar.
Në disa ndeshje ka ndikuar mbrojtja. Na kanë ikur dy lojtarë kryesorë si Arapi dhe Rustem Hoxha, as fati nuk ka qenë me ne. Do të jemi më të qetë më këto tre pikë.
Çdo ndeshje kemi pësuar gol. Trajneri ka futur disa lojtarë të rinj, Teuta po rinovohet, shpresoj që ata të na ndihmojnë në të ardhmen. Uroj të na qetësojë kjo fitore.
Dua ta falënderoj nga zemra portierin Dema, ishte ndeshja e tij e parë. Të gjithë lojtarët e rinj duhet të japin maksimumin dhe të ndihmojnë ekipin”, deklaroi Emiliano Vila. /f.a/abcnews.al