Një emigrant ilegal është shndërruar në hero në Francë pasi ka shpëtuar një fëmijë, i cili po binte nga kati i katërt i një apartamenti në Paris. Gjesti I tij është vlerësuar nga presidenti Macron dhe ka nisur një fushatë që emigranti të përfitojë dokumenta të rregullta.
Ka ngjitur fasadën e një pallati duke u ngjitur në një ballkon në tjetrin për të shpëtuar një fëmijë 4 vjeç që po rrëzohej nga kati i katërt. Ngjarja ka ndodhur në Paris. Protagonist i saj është Mamoudou Gassama, 22 vjeç me origjinë nga Mali dhe që qëndronte klandestin në Francë. Videoja e shpëtimit është bërë virale në rrjetet sociale dhe tashmë I riu njihet si “emigrant-hero”. Presidenti Emmanuel Macron u takua me emigrantin në pallatin Elize ku e falenderoi personalisht dhe i dorëzoi medaljen e kurajos.
Por duket se vëmendja e madhe në rrjetet sociale është shpërblyer në mënyrën e duhur. Presidenti i Francës pas takimit tha se Gassam do të bëhet shtetas i natyralizuar. Gjithashtu i ofroi një punë tek shërbimi zjarrfikës.
Në rrjetet sociale është lëshuar edhe një apel për pajisjen me dokumenta të tij. Mamoudou Gassama po shkonte në një bar për të ndjekur finalen e Ligës së Kampionëve, kur ka parë një fëmijë 4 vjeç që rrinte pezull jashtë një ballkoni. Me një sërë hapash të mëdhenj, duke lëvizur nga një mbështetje në tjetrën, ai arriti ta shpëtojë atë. “Isha i frikësuar pasi kam shpëtuar fëmijën, kemi shkuar në dhomën e ndenjes dhe fillova të lëkundem, nuk mund të ngrihesha”, i tha emigrant mediave lokale.
Vogëlushi, ndoshta i lënë vetëm nga prindërit në shtëpi, i është besuar zyrës për mbrojtjen e të miturve, ndërsa babai është ndaluar. Akti heroik i Gassama është përgëzuar edhe nga Anne Idalgo, kryebashkiake e Parisit. Ajo thekson se do të bëjë ç’është e mundur që emigranti të qëndrojë në Francë./abcnews.al