Reportazhi i BBC për emigrantët shqiptarë që kalojnë në Kanalin e La Manshit, ka pasur pjesë të bashkëpunimit dhe gazetarin e ‘Piranjave’ në ABC Eraldo Harliçaj.
I ftuar në studion e ABC Live me gazetaren Sibora Bitri, Harliçaj u shpreh që autorët e dokumentarit kishin qenë më shumë të interesuar për përjetimet e gazetarit investigativ dhe asaj që ai kishte parë kur kishte filmuar dokumentarin e tij për ‘Piranjat’.
Gjithashtu ata kishin shfaqur interes edhe për atë që ndodhte realisht në Shqipëri.
Gazetari Harliçaj i kishte adresuar edhe drejt zonës së Laknasit në Tiranë, ku si pasojë e emigracionit shumë të rinj ishin larguar dhe ata kishin filmuar edhe shtëpitë bosh, duke ofruar pamje të trishta nga kjo zonë e Tiranës.
Lexo edhe: BBC bashkëpunon me Piranjat, zbulon rrugën e emigrantëve shqiptarë të rekrutuar nga bandat kurdo-shqiptare
Sipas gazetarit investigativ Harliçaj, gazetarët britanikë ishin shumë kritikë ndaj valës së emigracionit nëpërmjet La Manshit, dhe bënin një përgjithësim të emigrantëve, madje edhe duke e titulluar dokumentarin me titullin ‘Bandat shqiptare rekrutojnë shqiptarë në Francë për ti marrë për shtëpitë e barit’.
Ata, madje kishin kërkuar edhe kontakte, për të cilat gazetari investigativ i ABC ishte treguar i rezervuar.
Për gazetarin Harliçaj ka një ‘hiperbolizim’ nga mediat britanike, është një retorikë pak e tepërt, por nga ana tjetër profesionalizmi i tyre është i njohur përsa i përket korrektesës si gazetarë.
Shqiptarët në Britani, për gazetarin investigativ Harliçaj, i cili ruan kontaktet me atë që po ndodh atje, ndihen të paragjykuar dhe të sulmuar, nga e gjithë kjo retorikë e medias angleze, si dhe në parlament, ku sekretarja e brendshme Braverman i ka quajtur edhe si kriminelë.
Prandaj ata po bëhen gati për një protestë më 12 nëntor në orën 10.30./Abcnews.al.