Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, është shprehur entuziaste për realizimin e marrëveshjes me Shqipërinë që sipas saj do ti jap fund çështjes së emigracionit të paligjshëm. Në një intervistë për mediat vendase, kryeministrja italiane i cilësoi akuzat e opozitës italiane si qesharake.
“Në bazë të protokollit me Shqipërinë kemi planifikuar që për të dyja qendrat e ngritura ku do të përpunohen kërkesat për azil të emigrantëve të paligjshëm të shpenzojmë 690 milionë euro, që do të thotë 134 milionë euro në vit. Më duket qesharake ajo që deklarojnë ata në opozitë se këto para do të shpenzoheshin më mirë në shëndetësi.”, tha Meloni.
Sipas Melonit këto para do të shpenzoheshin edhe nëse azilkërkuesit do të qëndronin në Itali.
“Të gjithë ata emigrantë të paligjshëm që unë do t`i menaxhoja në Itali do të ishin sërish pjesë e shpenzimeve tona. Me protokollin e arritur me Shqipërinë ka një ndryshim të rëndësishëm. Në Itali kur ata të mbërrijnë ne i mirëpresim, por ky problem nuk zgjidhet, ndërsa në Shqipëri unë besoj se kjo situatë do të gjejë zgjidhje përfundimtare”, u shpreh Meloni.
Sipas Melonit në Shqipëri do të shpenzohet vetëm 7.5% e kostos financiare të mbajtjes së tyre në territorin Italian. Kryeministrja italiane tha se kjo marrëveshje është cilësuar si shembullore nga blloku evropian.
“Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian i kanë shkruar një letër Komisionit Evropian duke thënë se modeli shqiptar duhet të përsëritet. Shumica e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian e kuptojnë vlerën e kësaj nisme”, shtoi më tej kryeministrja italiane.
Vetëm disa ditë pas inspektimit që realizoi së bashku me homologun e saj shqiptar Edi Rama në dy qendrat që do të mirëpresin azilkërkuesit afrikanë në portin e Shëngjinit dhe në ish-bazën ushtarake të Gjadrit.
/abcnews.al