Emigrantët në karantinë, Tomini: Shëndeti vlen me shumë se vota

schedule17:31 - 20 Prill, 2021

schedule 17:31 - 20 Prill, 2021

Nga Juxhin Mustafaraj

Shëndeti i qytetarëve dhe ruajtja e ulët e kurbës së infektimeve nga koronavirus janë më të rëndësishme se vota. Zv/ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini shpjegon për ABC arsyet që nxitën në vendimmarrje Komitetin Teknik të Ekspertëve të vendosin që duke nisur nga e marta e 20 prillit çdo emigrant që do të hyj në Shqipëri nga Greqia apo Maqedonia e Veriut t’i nënshtrohen një karantine 14 ditore. Për Tominin, vendimmarrja nuk ka lidhje me zgjedhjet.

“Është shumë e rëndësishme që shëndeti publik të prevalojë mbi cdo element tjetër jetësor siç mund të jenë zgjedhjet, në këtë rast koncidon me problemin e zgjedhje dhe absolutisht e lidhur kjo me pjesën politike sepse ekspertët janë ekspertë shëndetësore të fushës së tyre” tha ajo.

Përfaqësuesja e Komitetit Teknik të Ekspertëve sqaron se emigrantëve nuk i është ndaluar të hyjnë në territorin shqiptar. “Nuk privohet lëvizja e tyre, por aktualisht meqënëse kriteret epidemiologjike janë në nivele të ulëta për shkak të qarkullimit të mutacioneve në vende të tjera që kanë një tendencë në rritje nuk duam që kjo situatë të ndikojë nga prurjet e kësaj kohe”.

Ekspertja e shëndetit publik nuk i kursen kritikat për partitë politike dhe sjelljen e tyre në fushatë, duke paralajmëruar për një numër të rritur të infektimeve në muajin maj. “Rreziku do të shihet në vijim. Do të kenë impakt në vijim, pasi është prishur distancomi fizik, grumbullimet kanë qenë të reflektuara, ose kemi parë grumbullime masive në kuadër të zgjedhjeve”.

Të hënën, Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi që çdo qytetar shqiptar që do të kalojë kufirin e Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, do të duhet t’i nënshtrohet një karantine të detyrueshme 14 ditore. Vendim që i heq mundësinë për të votuar këtë të diel emigrantëve që dëshironin të votonin të dielën e 25 prillit./ db/ Abcnews.al