“Emigrantët”, Meloni: Brenda disa javësh. Po punojmë me seriozitet që zbatimi të jetë perfekt

schedule20:03 - 16 Shtator, 2024

schedule 20:03 - 16 Shtator, 2024

Diskutimi për menaxhimin e flukseve të emigrantëve ishte në qendër të takimit mes kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe homologut të saj britanik Keir Starmer gjatë vizitës së tij në Romë. Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për strehimin e azilkërkuesve u soll nga kryeministrja italiane si një shembull i bashkëpunimit midis dy vendeve fqinje për të zgjidhur një problem kaq të rëndësishëm. Meloni njoftoi se projekti do të jetë gati brenda disa javësh.

“Për pak javë do jetë gati. Ne po punojmë me seriozitet të jashtëzakonshëm për këtë projekt, do të duhen edhe disa javë që të jetë perfekt, do të kisha preferuar të niste më herët por ne i kemi sytë e botës të fokusuar në këtë iniciativë nëse duhen edhe disa ditë nuk e kam problem”, tha Meloni.

Kryeministrja italiane hodhi poshtë të gjitha pretendimet që marrëveshja me Tiranën shkel të drejtat e njeriut.

“Ajo që kemi bërë me Shqipërinë do të thotë që këta emigrantë do të kenë saktësisht të njëjtin trajtim që do të kishin pasur në Lampeduza, për të qenë të qartë, ose në çdo zonë tjetër italiane. Mendojmë se, duke garantuar zbatimin e plotë të juridiksionit italian dhe europian, askush nuk mund ta thotë këtë, pasi aty janë forcat tona të policisë, gjyqtarët tanë, ligjet dhe modelet tona.”, shtoi ajo.

Kryeministri Starmer theksoi se ai po ndjek me vëmendje iniciativën mes Tiranës dhe Romës edhe pse ende nuk ka nisur të zbatohet.

“Ne kemi diskutuar marrëveshjen me Shqipërinë, e cila nuk është vene ende ne zbatim, siç e dini, dhe për këtë arsye ne nuk e dimë ende rezultatin e saj, por kemi diskutuar konceptin. Ne jemi pragmatistë, para së gjithash. Kur përballemi me një sfidë, diskutojmë me miqtë dhe aleatët tanë masat e ndryshme që po ndërmerren, shikojmë se çfarë funksionon, dhe kjo është ajo që kemi bere sot, dhe ka qenë një ditë shumë produktive.”, u shpreh Starmer.

Në kampin e refugjatëve në Gjadër sipas marrëveshjes do të jenë më së shumti 3 000 emigrantë njëherësh. Siguria brenda kampit dhe qendrës pritëse të emigrantëve në port do të garantohet nga autoritetet italiane, dhe qëndrimi i tyre gjithashtu do të mbulohet financiarisht nga qeveria e Romës.

Marrëveshja u dakordësua një vit më parë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!