Emërohet një prokuror i posaçëm për dokumentet e klasifikuara të gjetura në zyrën dhe shtëpinë e Biden

schedule08:21 - 13 Janar, 2023

schedule 08:21 - 13 Janar, 2023

Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland emëroi të enjten një prokuror të posaçëm për të hetuar se si u gjendën dokumentet e klasifikuara në ish-zyrën e Presidentit Joe Biden, si dhe në shtëpinë e tij në Wilmington, Dellauer.

Garland, që mban detyrën e zyrtarit më të lartë ligj-zbatues në qeverinë amerikane, përzgjodhi prokurorin Robert Hur, ish-prokuror kryesor federal në shtetin Merilend. Hur ka shërbyer edhe si zyrtar i lartë në Departamentin e Drejtësisë gjatë administratës së presidentit pararendës republikan Donald Trump.

Vendimi i Garland pason caktimin e tij më herët të prokurorit të posaçëm Jack Smith ndaj një hetimi të ngjashëm ndaj  Trump. Për disa muaj, ish-presidenti nuk kishte dorëzuar dokumentat e klasifikuara në Administratën për të Dhënat dhe Arkivat Kombëtare, siç parashikohet në legjislacionin amerikan, kur la detyrën dy vite më parë dhe i dërgoi ato në Mar-a-Lago, rezidencën e tij në Florida, ku tashmë edhe banon.

Garland u tha gazetarëve në Departamentin e Drejtësisë se caktimi i prokurorit të posaçëm Hur “nënvizon për publikun përkushtimin e departamentit si ndaj pavarësisë ashtu edhe llogaridhënies për çështje veçanërisht të ndjeshme”.

Disa zyrtarë republikanë kishin bërë thirrje që Garland të caktonte një prokuror të posaçëm për të hetuar presidentin demokrat.Kryetari i ri i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, tha në një konferencë për shtyp në Kapitol se “mendoj që Kongresi duhet ta hetojë këtë.

Nuk mendoj se ndonjë amerikan beson se drejtësia nuk duhet të jetë njësoj për të gjithë”. Si prokuror i posaçëm, 49-vjeçari Hur do të ketë më shumë pavarësi se një prokuror i zakonshëm federal, për të hetuar se si janë menaxhuar dokumentat e klasifikuara nga Biden kur ai la detyrën e nënpresidentit në fillimet e vitit 2017.

Janë zbuluar dy grupe dokumentash të klasifikuara të lidhura me Biden. Janë rreth 10 dokumenta në Qendrën Penn Biden për Diplomacinë dhe Angazhimin Global, një organizatë kërkimore në Uashington që Biden ndihmoi të krijohej pas tetë vitesh si zëvendës i ish-Presidentit Barack Obama.

Një tjetër koleksion u zbulua në shtëpinë e Biden në Ëilmington, shumica e tyre, përveç një dokumenti, u gjendën në garazh.

Dokumenti tjetër u gjend në një dhomë ngjitur. Avokatët personalë të Presidentit Biden i dorëzuan menjëherë materialet në Arkivat Kombëtare, që kanë përgjegjësinë për ruajtjen dhe mbrojtjen e të dhënave presidenciale.

Rasti i Presidentit Biden ka dallim domethënës me hetimin për trajtimin e dokumentave të klasifikuara nga ish-Presidenti Trump. Ai u largua nga Uashingtoni në fillimet e vitit 2021 së bashku me qindra dokumenta të klasifikuara, disa prej të cilave rrjedhimisht i dorëzoi pas kërkesave të Arkivave Kombëtare, ndërsa FBI-ja mori dhjetëra të tjera në muajin gusht gjatë një kontrolli të autorizuar nga gjykata në zyrën e tij, në një mjedis arkivi dhe dhoma të tjera në Mar-a-Lago.

Garland emëroi fillimisht John Lausch, një prokuror kryesor në Çikago dhe i emëruar nga Presidenti Trump, për të shqyrtuar dokumentat e Biden. Garland tha se Lausch kishte rekomanduar një javë më parë që të caktohej një prokuror i posaçëm.

Hetimi i prokurorit të posaçëm Hur do të shqyrtojë nëse “ndonjë person apo entitet ka shkelur ligjin në lidhje me këtë çështje”, tha zoti Garland. Pas emërimit të Hur, Shtëpia e Bardhë tha se do të vazhdojë të bashkëpunojë me hetimin.

“Kemi besim se një shqyrtim i hollësishëm do të tregojë se këto dokumenta janë vendosur gabimisht, dhe se presidenti dhe avokatët e tij vepruan menjëherë sapo u zbulua ky gabim”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Disa orë përpara emërimit të prokurorit Hur, një këshilltar i posaçëm ligjor i Presidentit Biden, tha se pasi dokumentat e para u gjendën në Qendrën Penn Biden, avokatët e tij kërkuan në të gjitha vendndodhjet e tjera ku mund të ishin dërguar dokumenta.

Sauber njoftoi në një deklaratë se avokatët e zotit Biden bënë kërkime edhe në shtëpinë e tij të pushimit pranë Oqeanit Atlantik në plazhin Rehoboth, në Dellauer, por nuk gjetën gjë.

Sauber tha se Departamenti i Drejtësisë “u njoftua menjëherë” pasi dokumentat u gjendën në Ëilmington dhe se dokumentat iu dorëzuan juristëve të departamentit. Duke folur me gazetarët të enjten, Presidenti Biden u përpoq të ulë rëndësinë e zbulimeve, me sa duket në përpjekje për të bërë dallimin e rastit të tij me mosmarrëveshjen disamujore mes ish-Presidentit Trump dhe Arkivave Kombëtare për dokumentat e klasifikuara që u transferuan për në Mar-a-Lago.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!