Prokuroria e posaccme ka mbyllur hetimet dhe ka derguar për gjykim dosjen ndaj ish-kryertari të bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia.
SPAK njoftoi zyrtarisht të mërkurën se ka marrë të pandehur Spahinë pasi e akuzon se ka shkarkuar në shkelje të ligjit drejtorin e Ujësjellës Kanalizimeve në kohën kur drejtonte Bashkinë Shkodërës dhe nuk ka zbatuar një vendim gjykate që urdhëronte rikthimin e tij në punë.
Bardh Spahia është kallëzuar në Prokurorinë e Posacme nga shtetasi Mark Molla qe pretendon se ish-kryebashkiaku e ka shkarkuar nga detyra si drejtor i ujësjellësit, pa të drejtë. Vetë Spahia nuk ka dhënë asnjë shpjegim për mediat mbi këto akuza.
Sipas SPAK, gjatë hetimit rezulton e provuar se Bardh Spahia, në cilësinë e Kryetar i Bashkisë Shkodër ka marrë një vendim me datë 18 korrik 2022 për të liruar nga detyra administratorin e Ujësjellësit Mark Molla, dhe ka emëruar dikë tjetër në këtë detyrë.
Nga Gjykata e Shkodrës, është kërkuar rivendosja e Mark Mollës, në detyrën që kishte, deri në përfundim të hetimit, por sipas SPAK, ky vendim nuk është marrë parasysh nga Bardh Spahia duke anashkaluar vendimin e Gjykatës dhe me datë 25 korrik ka nxjërr një tjetër vendim për shkarkimin e Mark Mollës nga detyra.
Njoftimi i SPAK
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në përfundim të hetimeve paraprake, ka dërguar për gjykim, më 24.02.2025, procedimin penal nr.139 viti 2024, në ngarkim të pandehurit: B.S, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”, sipas nenit 320 të Kodit Penal.
Prej analizës së akteve dhe provave të administruara gjatë hetimeve të kryera, rezulton e provuar se i pandehuri, B.S., në cilësinë e kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizimeve, Shkodër, njëkohësisht edhe Kryetar i Bashkisë, Shkodër ka marrë vendimet nr.16 dhe nr.17, dt.18.07.2022 për të liruar nga detyra shtetasin M.M., në funksionin e administratorit të Ujësjellës Kanalizimeve dhe duke emëruar në këtë detyrë shtetasin, A. B.
Këto vendime janë ankimuar nga shtetasi M.M., në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër, e cila me vendimin nr. 16 (2984), dt. 19.07.2022 ka vendosur: “Pranimin e kërkesës, sigurimin e padisë duke vendosur pezullimin e vendimit nr.16 datë 18.07.2022, vendimit nr. 17 datë 18.07.2022 të Asamblesë së Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizime, Shkodër deri në marrjen e vendimit të formës së prerë nga gjykata të vendimit që do të zgjidhë çështjen civile të regjistruar mbi bazën e kërkesë padisë”.
Nga ana e të pandehurit B.S., duke qenë në dijeni të vendimit nr.16 (2984), dt. 19.07.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër për sigurimin e padisë, pavarësisht faktit se ka patur një vendim gjyqësor të qartë dhe të ekzekutueshëm në mënyrë të menjëhershëm për Asamblenë e Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizimeve, Shkodër për pezullimin e vendimeve nr.16 dhe nr.17, dt. 18.07.2022, me të cilat ishte shkarkuar shtetasi, M.M., dhe emëruar A.B., (si rrjedhojë nga Gjykata është urdhëruar rivendosja në detyrë e shtetasit M.M., deri në përfundim të procesit gjyqësor), nga ana e tij, është anashkaluar ky urdhërim gjyqësor duke nxjerrë shtatë (7) ditë më vonë, në dt.25.07.2022, tre vendime të tjera me nr.18, nr.19, nr.20, përmes të cilave sërish ka shkarkuar nga detyra shtetasin, M.M., dhe ka emëruar A.B si administrator, veprime këto të kryera me qëllim pengimin e ekzekutimit të vendimit gjyqësor nr. 16 (2984), datë 19.07.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Në thelb rezulton se vendimet nr.18, 19 dhe 20 të dt.25.7.2022 të kenë të njëjtën vendimarrje (si vendimet nr.16 dhe 17 dt.18.7.2022), me të njëjtin objekt, por me numër dhe datë të ndryshme, përmes të cilëve, i pandehuri ka anashkaluar urdhërimet e vendimit nr.16 (2984) datë 19.07.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër për sigurimin e padisë.
Mosrespektimi i vendimit gjyqësor që përbën titull ekzekutiv cënon në thelb shtetin e së drejtës dhe shkakton pasiguri juridike. Organet/nëpunësit publikë, të cilëve, një vendim gjyqësor iu drejtohet me urdhërime, duhet vetëm ta zbatojnë dhe jo të bëjnë interpretime apo diskutime ligjore nëse është i mbështetur ose jo në ligj.