EMA: Vendimi për pilulën e Pfizerit, brenda javësh

schedule16:41 - 10 Janar, 2022

schedule 16:41 - 10 Janar, 2022

Rregullatori për ilaçe i Bashkimit Evropian tha se do të vendosë brenda javësh nëse do të miratojë apo jo për përdorim pilulën e Pfizerit kundër koronavirusit.

Shtetet e Bashkuara veçse kanë autorizuar për përdorim pilulën e gjigantit farmaceutik amerikan, Pfizer.

Në dhjetor, Agjencia Evropiane për Barna (EMA) u dha të drejtë shteteve që të vendosin nëse duan që të lëshojnë miratim urgjent për përdorimin e pilulës, që njihet me emrin Paxlovid.

Por, EMA tha se tani do të nisë të vlerësojë pilulën me qëllim që t’i japë ose jo miratimin e plotë për përdorim në 27 shtetet e bllokut evropian.

“EMA do të vlerësojë përfitimet dhe rreziqet e Paxlovidit në një periudhë të shkurtër kohore dhe mund të publikojë vendimin brenda javësh”, tha kjo agjenci përmes një deklarate për media.

EMA tha se marrja e vendimit do të varet nëse të dhënat e Pfizerit janë “mjaftueshëm të forta”.

Kjo agjenci po ashtu është duke vlerësuar edhe aplikimin për miratim edhe të pilulës së krijuar nga kompania Merck.

SHBA-ja në dhjetor miratoi për përdorim pilulat e dy kompanive Pfizer dhe Merck.

Të dy pilulat është thënë se mund të kontribuojnë në luftën kundër sëmundjes COVID-19, pasi studimet kanë treguar se ato ulin rrezikun e hospitalizimeve dhe vdekjeve në mesin e pacientëve që konsiderohen se janë në rrezik të lartë nga koronavirusi./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!