Spanja do ta rifillojë administrimin e vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca të mërkurën e ardhshme. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë Carolina Darias në një konferencë shtypi në televizion kombëtar, pasi Agjencia Evropiane e Barnave tha se ajo ishte “e sigurt dhe efektive”.
Qiproja, Italia dhe Franca bënë të ditur gjithashtu se kishin në plan të rinisnin përdorimin e vaksinës pas njoftimit të EMA të enjten.
Darias tha se ekspertët e shëndetit nga 17 qeveritë rajonale të Spanjës, të cilët administrojnë vaksinat kundër Covid-19, do të takohen këtë fundjavë për të bërë një propozim se cilat pjesë të popullatës duhet të marrin vaksinën AstraZeneca-s duke filluar nga e mërkura e ardhshme.
Të hënën, Ministria Spanjolle e Shëndetësisë do të takohet me shefat e departamenteve shëndetësore rajonale, për miratimin përfundimtar, rreth segmenteve të popullsisë që do të marrin dozat e AstraZeneca-s. sb/abcnews.al/