Jasir Asani i ka thurur elozhe talentit 20 vjeçar të Partizanit, Besnik Ferati. Mesfushori nga Shkupi shënoi një gol shumë të bukur mbrëmë në sfidën kundër Skënderbeut, por nuk i shërbeu shumë skuadrës, pasi të besuarit e Sormanit u mposhtën 1-2.
Në një InstaStory, Asani tha se Ferati meriton të luajë më shumë ndeshje si titullar për kampionët në fuqi, si dhe meriton edhe numrin 10, numër të cilin e mban vetë Asani, që për momentin është i huazuar në Suedi tek AIK.
“Urime vëllai im, ti meriton shumë më shumë dhe besoj se të takon numri 10 tek ekipi i Partizanit. Vlerat e tua do t’i tregosh edhe në ndeshjet e ardhshme, pasi ti ke kualitetin për të qenë pjesë e formacionit titullar. Urime për golin dhe sa më shumë suksese në të ardhmen”, shkroi Jasir Asani për mesfushorin e “Demave”./abcnews.al