Stefano Pioli ka folur gjatë në prononcimin e dhënë pas fitores ndaj Spal në Kupën e Italisë. Trajneri i gëzohet fitores dhe paraqitjes pozitive të ekipit, por ka edhe këshilla për disa nga lojtarët e ekipit.
Elozhet për Zlatan Ibrahimovic nuk mungojnë, Suso duhet të reagojë, ndërsa Theo Hernandez duhet të bëjë akoma edhe më shumë, sidomos në minutat e para të ndeshjeve.
FITORJA – “Sot luajtëm me intensitet dhe treguam cilësi. Pres, më shumë se nga skuadra, rritjen e lojtarëve individualisht. Mbërritja e Ibrës është shumë e rëndësishme në këtë aspekt, për atë që bën çdo ditë në stërvitje, për qëndrimin dhe profesionalizmin. Është shembull të shohësh një kampion të tillë duke punuar në këtë mënyrë”.
PIATEK – “Sot pati rastet e veta dhe skuadra zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer. Tani duhet të mendojmë për Udinesen, një kundërshtar që ndodhet në një formë të mirë psiko-fizike. Tifozët tanë meritojnë shumë, po na mbështesin dhe duhet ta kthejmë ‘San Siron’ në një fortesë”.
SUSO – “Më pëlqeu shumë fakti që ultrasit e mbështetën. Suso u fut në lojë dhe dhuroi menjëherë një pasim për gol. Është e qartë që nuk ndodhet në momentin e tij më të mirë, duhet të reagojë me karakter”.
THEO – “Duhet të përmirësohet në minutat e para të ndeshjes. Nuk e nis ndeshjen shumë i përqendruar, por më pas e merr veten. Ka një rol ku duhet të lexojë më mirë ndeshjen, sidomos në fillimin e saj. Është një lojtar fantastik dhe ka pak mbrojtës krahu të tillë. Duhet të bëhet një lojtar i madh, ky duhet të jetë objektivi i tij. Vetëm talenti nuk mjafton”. /abcnews.al

