Eliminohet rreziku në vatrat e zjarrit në Dukat e Gjirin e Gramës

schedule15:55 - 7 Gusht, 2021

schedule 15:55 - 7 Gusht, 2021

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se është eliminuar rreziku në vatrat e zjarrit në Dukat e Gjirin e Gramës. Ndërkohë sipas ministrisë së Mbrojtjes po vijon puna për izolimin e plotë të flakëve në të gjithë sipërfaqen e prekur në Gadishullin e Karaburunit, në qarkun e Vlorës.

Gjithashtu është shuar zjarri pranë pikës kufitare Rips në fshatin Livadhja, në bashkinë Finiq, duke shmangur rrezikun për banesat.

Zjarri në fshatin Gjorgos, njësia administrative Cakran, bashkia Fier po mbahet nën kontroll, ndërsa ka vijuar puna me helikopterin çek për shuarjen përfundimtare të tij.

Në Kepin e Rodonit, në Durrës është raportuar një vatër zjarri, për të cilën po vijon puna për vënien nën kontroll nga forcat në terren. Nuk paraqitet rrezikshmëri.

Një vatër zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra është raportuar në malin e Xhyrës, në bashkinë e Librazhdit. Ai po shuhet nga forcat zjarrfikëse të bashkisë.

Zjarri në fshatin Thirrë, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë ka vijuar të zgjerojë perimetrin, duke shkaktuar tym në të gjithë kodrën. Forcat po punojnë për të ndërprerë vijën e zjarrit në afërsi të rrugëve të fshatit. Ndërkaq është izoluar plotësisht zjarri në fshatin Munellë-Domgjon, bashkia Mirditë.

Vijon të paraqitet e vështirë ndërhyrja për shkak të terrenit në Majën e Rrunës, në Kukës, ku forcat po punojnë për të mos lejuar përhapjen e flakëve në zonat e banuara.

Nën kontroll mbeten flakët në fshatin Klysyrë të bashkisë Tropojë si dhe në Vermosh të Malësisë së Madhe./ abcnews.al/