PSG përjetoi një nga mbrëmjet më të dhimbshme evropiane me datë 6 mars. Sfida e kthimit në Champions përballë Manchester United u kthye në një makth të vërtetë. Francezët kishin fituar 0-2 në Old Trafford dhe kualifikimi për në çerekfinale ishte pothuajse i kryer.
Megjithatë, djemtë e Solskjaer i befasuan të gjithë, fituan 1-3 dhe avancuan më tej. Goditje e rëndë për kampionët e Francës, që pësuan një eliminim të pabesueshëm në minutat shtesë.
Trajneri gjerman i është rikthyer edhe njëherë kujtimeve të tmerrshme të asaj nate. Në një prononcim për “beIN Sports”, Tuchel bën një krahasim interesant dhe tepër të veçantë.
“Ai eliminim ishte si një aksident me makinë. Në semafor u ndez jeshilja dhe ne u përplasëm. Pas ndeshjes së parë të gjithë mendonin se do të kualifikoheshim, por nuk ndodhi ashtu. Donim t’i tregonim njerëzve se do të ishte një vit ndryshe në Champions, por nuk ditëm si ta bënim. Kam kaluar tre ditë të tmerrshme pas asaj ndeshje, ishte diçka që se kisha provuar më parë”, përfundon trajneri gjerman. /abcnews.al