Eliminatoret e Francës, Shqipëria në grup me Francën

schedule15:24 - 2 Dhjetor, 2018

schedule 15:24 - 2 Dhjetor, 2018

Kombëtarja përballë Francës në eleminatoret e Europianit të vitit 2020. Kampionët e botës do të jenë favoritë në grupin H, ndërsa ekzistojnë shanset për kualifikim.

Është privilegj të kesh në grup kampionen e botës. Shqipëria do të luajë pikërisht ndaj Francës në eleminatoret e Euro 2020, siç e përcaktoi edhe shorti i hedhur në Dublin të Irlandës. Jemi në grupin H, ku numri 1 është pikërisht Franca, e bashkë me të, edhe Islanda, Turqia, Moldavia dhe Andorra. Me dy skuadra që kualifikohen direkt për në fazën finale, nuk është eufori të thuhet se Shqipëria ka shanset e saj.

Sipas formatit të ri, ose kualifikohemi menjëherë, ose eleminohemi, pasi në plej of kanë fituar të drejtën të luajnë vetëm skuadrat fituese të grupeve në Ligën e Kombeve, pra 16 të tilla, të cilat do të luajnë gjysmëfinalet dhe finalet, për të përcaktuar 4 ekipe të tjerë finalistë. Për fat të keq, asnjë nga rivalët tanë të grupit nuk është kualifikuar në Ligën e Kombeve, që të na lironin një vend në rast suksesi aty.

Shqipëria ka luajtur 7 herë me Francën, duke arritur një fitore, një barazim e 5 humbje. Fitorja 1-0 dhe barazimi 1-1 janë në miqësoret e luajtura, përkatësisht në “Elbasan Arena” dhe në Renë, ndërsa ndeshjet zyrtare I kemi humbur të gjitha, katër në eleminatoret e Europianit në vitet 1990-1991 e 2011, dhe një në finalet e Euro 2016-ës në “Stadë dë Frans” të Parisit.

Kombëtarja ka luajtur 10 herë ndaj Turqisë, duke arritur 4 fitore, 2 barazime e 4 humbje. Një fitore e kemi në eleminatoret e Europianit, 3-0 në 1971, dhe 4 humbjet i kemi po në eleminatore, në Europian dhe në Botëror.

Në ndeshjet miqësore, kemi arritur 3 fitore dhe një barazim, me suksesin e fundit 3-2 një vit më parë, në Antalia. Me Islandën janë dy fitore e tre humbje, dhe suksesi i vetëm zyrtar është arritur në 1991. Bilanc më të mirë me Moldavinë, dy fitore në eleminatoret e Europianit në 1995 dhe një barazim në miqësore.

Andorra po ashtu është rival i njohur, me të cilin jemi ndeshur tri herë, fitore 3-0 në Turneun Rothmans, si dhe humbje 0-2 e fitore 1-0 në miqësore. Për t’u theksuar, humbja 0-2 në Andorrë ishte ndeshja e fundit e një trajneri shqiptar në stolin e kombëtare, Sulejman Demollarit, 16 vjet më parë, në prill 2002./abcnews.al