Më shumë se dy mijë banorë të fshatrave të Njësisë Administrative Papër, për vite me radhë kanë vuajtur nga izolimet që shkaktonin prurjet e mëdha të përroit.
Mungesa e pritave malore bëri që ujërat e rrëmbyer të përfshijnë rrugët dhe tokat bujqësore.
Bashkia e Elbasanit është duke investuar në ndërtimin e rreth 1 km prita malore, të cilat do te shmangin përmbytjet dhe do të lehtësojnë lëvizjen e banorëve gjatë dimrit.
Kryetari i ri i Bashkisë se Elbasanit Gledian Llatja, së bashku me specialistë shkuan nga afër për të parë punimet. Ai kërkoi përshpejtim qe vjeshta të mos krijojë probleme
Zgjidhja e këtij problemi u vjen në ndihmë edhe nxënësve të shkollave, të cilët shoqëroheshin nga prindërit sa herë përroi kishte prurje të mëdha. Madje nuk kanë qenë të pakta rastet kur fëmijët e kishin të pamundur të shkonin në shkollë. Llatja u angazhua gjithashtu që në buxhetet e ardhshme të parashikojë edhe ndërtimin e urave që janë të domosdoshme për fshatrat e Njësisë Administrative Papër./ABC News Albania 24/7